Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka publikuar një video të shembjes së një objekti 2-katësh të ndërtuar në fshatin turistik, Theth.
Objekti në fjalë është me strukturë beton-arme dhe pronari nuk disponon leje për objektin si dhe është ndërtuar në kundërshtim me rregullat mjedisore.
“Theth | Në kuadër të operacionit për zbatimin e ligjshmërisë në zonat e mbrojtura, është realizuar prishja e një objekti dykatësh me strukturë beton-arme, i ndërtuar pa leje dhe në kundërshtim me rregullat mjedisore”, thuhet në postimin e IKMT-së.
Prej ditësh tashmë IKMT ndodhet në zemër të Thethit duke shembur të gjitha ndërtimet pa leje, kryesisht bujtina apo shtëpiza pushimi të ndërtuara nga banorët vendas me qëllim shfrytëzimin e tyre për turizëm.
Punonjësit e IKMT-së janë përballur me banorët, aq sa është dashur dhe ndërhyrja e policisë, të cilët kundërshtojnë fuqishëm shembjen e objekteve të tyre, sidomos në mesin e sezonit turistik.