Shoqata antikomuniste e ish të përndjekurve politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan këtë të enjte pranë Burgut të Spaçit kundër projektit të restaurimit ndërmarrë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Sipas aktivistëve, ndërhyrja po shkatërron memorien dhe është përpjekje për të fshirë historinë e ish-Burgut të Spaçit.
Kryetari i te perndjekurve antikomuniste Et’hem Fezollari kërkoi që të zbatohet nje projekt restaurimi që nuk prek identitetin e burgut të Spaçit, ne të kundert do të vijohet me protesta:
“Jemi mbledhur këtu për të sensibilizuar fillimin e punimeve që po tjetërsojnë identitetin e të vetmit burg që ka mbetur në Shqipëri, që është burgu i Spaçit.
I bëjmë thirrje kryeministrit, parlamentit, ambasadave të huaja që të rimendojnë dhe të rivendosin një restaurim që të mos bie ndesh me tjetërsimin e këtij objekti dhe duke patur miratimin e personave që kanë bërë me dhjetëra vite burgje në këtë vend”, tha kreu i ish-të përndjekurve antikomunistë Et’hem Fezollari
Në protestë ishte edhe kryebashkiaku i Rrëshenit, Albert Mëlyshi, i cili tha se u kane kerkuar informacion institucioneve në lidhje me këtë projekt për rikonstruksionin e burgut të Spaçit.
“Kam kërkua rinformacion për këto punime, projektin e restaurimit, kush e financon dhe cilat janë arsyet e kësaj ndërhyrje. Jemi në pritje të përgjigjeve nga autoritetet përgjegjëse”, tha kryebashkiaku Mëlyshi.
Punimet aktuale synojnë restaurimin dhe konservimin e strukturave ekzistuese të burgut, por sipas disa ekspertëve dhe të mbijetuarve, këto ndërhyrje po rrezikojnë të “zbusin” ose të fshijnë simbolikën e errët dhe realitetin e ashpër të këtij vendi.