Pavarësisht protestave të shumta, qeverisja diktatoriale në Iran duket se vazhdon të jetë e palëkundur në parimet e saj në lidhje me “moralin”.
Së fundmi një peshkatar 70-vjeçar është arrestuar nga e ashtuquajtura “policia e moralit” për shkak se në rrjetet sociale qarkullonte një video, ku peshkatari kërcente dhe këndonte mes një grupi njerëzish, të cilët po ashtu i ishin bashkuar atmosferës.
70-vjeçari i identifikuar si Sadegh Bagheri u arrestua nga autoritete iraniane pasi sipas tyre videoja e publikuar në rrjetin social “Instagram”, në faqen e tij personale, “ishte kundër moralit dhe e turpshme.”
Kodi fetar i Iranit ndalon shumë lloje të vallëzimit dhe të kënduarit në publik.
Lajmi për arrestimin e Sadegh u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin dhe ngjalli indinjatën e të rinjve iranianë, të cilët në shenjë proteste regjistruan video të ngjashme me atë të 70-vjeçarit.