Vullkani Etna shpërtheu pak orë më parë, duke dërguar re tymi të zi dhe hiri në qiellin sicilian. Videot tregojnë dhjetëra turistë që kishin vizituar vendin duke vrapuar në panik.
Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë i Italisë, në një deklaratë, thotë se shpërthime të tipit Stromboli, një lloj shpërthimi me “fuqi në rritje”, po regjistrohen në vullkanin Etna.
“Në orët e fundit, ka pasur reshje të imëta hiri në zonën e Piano Vetero”, thuhet në deklaratën e Institutit.
Para shpërthimit pati dridhje vullkanike që filluan afërsisht në orën 22:00, sipas kohës lokale dhe arritën kulmin pak para orës 1 të mëngjesit.
Qendra Këshillimore për Hirin Vullkanik në Tuluzë, një nga nëntë qendra të tilla në të gjithë botën që përdoren për të monitoruar rreziqet e aviacionit, paralajmëroi se një re hiri vullkanik kishte arritur një lartësi prej rreth 6,400 metrash.