“Mi jepni sërish këmbët e mia”, bërtet Layan al-Baz, 13 vjeç sa herë që zgjohet nga dhimbja në shtatin e saj të spitalit, ku po trajtohet pas amputimit.
Vajza, e cila u vizitua nga një ekip i AFP në spitalin Nasser në Khan Younis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës, nuk dëshiron as të dëgjojë për gjymtyrë artificiale, diçka që është shumë e vështirë gjithsesi në enklavën palestineze.
“Unë nuk dua këmbë artificiale, dua që ata të mi vendosin sërish këmbët, ata mund ta bëjnë këtë”, proteston Layan në shtratin e saj.
Sa herë që hap sytë, kur efektet e qetësuesve kalojnë, sheh gjymtyrët e poshtme të prera të mbuluara me fashë.
Nëna e saj , Lamia al-Baz, shpjegon se Layan u plagos javën e kaluar kur lagjja al-Qarara e Khan Younis u bombardua.
Izraeli, udhëheqja politike dhe ushtarake e të cilit thotë se do të “fshijë” Hamasin, ka bombarduar pa pushim Rripin e Gazës si hakmarrje për sulmin e lëvizjes islamike palestineze në territorin e saj më 7 tetor, që vrau më shumë se 1,400 njerëz, kryesisht civilë. Granatimet izraelite kanë vrarë më shumë se 10,000 njerëz, kryesisht civilë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të qeverisë së Hamasit.
“Si do të kthehem në shkollë kur miqtë e mi janë duke ecur dhe unë jo”, thotë Layan e dëshpëruar me dhjetëra plagë në fytyrë dhe duar.
“Unë do të jem afër teje. Gjithçka do të jetë mirë, e ardhmja do të jetë e mirë”, përpiqet që ta qetësojë e ëma.
47-vjeçarja thotë se nga bombardimet humbi dy vajzat e saj të tjera , Ichlas dhe Hitam, dhe dy nga nipërit e saj, mes tyre një foshnjë disa ditëshe. Ata ishin të gjithë në shtëpinë e Ichlës, e cila sapo kishte lindur./Albeu.com