VIDEO/ I dehur në timon, ish-ylli i futbollit anglez përfundon me makinë në dyqan

Mediat angleze kanë publikuar pamjet që tregojnë momentin kur ish-ylli i Premierligës, Danny Graham, përplaset me Land Rover-in e tij me një dyqan Co-op në Teesside.

Pamjet tregojnë sulmuesin në pension, i cili luajti për disa skuadra duke përfshirë Swansea, Sunderland, Middlesborough dhe Blackburn Rovers, duke humbur kontrollin e mjetit dhe duke përfunduar në ambientet e brendshme të një dyqani.

37-vjeçari kishte qenë duke pirë me një mikun e tij dhe pas aksidentit u zbulua se kishte 230 mg alkool për 100 ml gjak – pothuajse tre herë më shumë se kufiri ligjor prej 80 mg.

Ish-futbollisti, i martuar, baba i tre fëmijëve, u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës Teesside javën e kaluar, ku pranoi akuzën për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur.

Atij iu hoq leja e drejtimit për një periudhë 2-vjeçare dhe iu dha një dënim 12-mujor me punë në komunitet, ku duhet të kryejë 180 orë punë pa pagesë.

Grahamit iu dha gjithashtu një ndalim 90-ditor i përdorimit të alkoolit, i cili do të monitorohet nga një komision etike./Albeu.com/


Shtuar 19.04.2023 12:09