Policia e Vlorës, ka vënë në pranga një 42-vjeçar të dyshuar si bashkëautor i vrasjes me armë zjarri të 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, ngjarje e ndodhur më 27 prill 2025 në lagjen “Hajro Çakërri”.
Operacioni i koduar “Në gjurmë”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës.
Në kuadër të tij u arrestua shtetasi Kleanth Bylyku alias Armando Gega, , 42-vjeç, banues në Vlorë, i njohur si pjesëtar i një grupi kriminal dhe më parë i dënuar për armëmbajtje pa leje.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendim të datës 30.07.2025, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 27 prillit, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58-vjeç.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.