Një 27-vjeçare në Kamzë, nënë e një vajze 2-vjeçare, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt, pasi i publikuan foto intime në rrjetet sociale. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Spiropali kërkon dënim maksimal për personin që ka shkaktuar/nxitur këtë tragjedi.
“Si nënë, si grua, si ministre dhe deputete e Kuvendit, nisur nga këto fenomene traumatike, jam duke ndërmarrë një iniciativë të propozimeve konkrete për dhunën me bazë gjinore, për ndërhyrje në legjislacion në linjë me rekomandimet e GREVIO-s dhe legjislacionin e BE-së. Jam e hapur për çdo sugjerim nga shoqata ose individë, për këtë plagë që shkatërron e merr jetë njerëzish”, u shpreh Spiropali.
Duke dhënë detaje për ngjarjen, ministrja Spiropali tha se “një ditë më parë u raportua se e reja kishte rënë aksidentalisht, por tashmë hetimi ka marrë një tjetër kthesë. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e gruas së re”.
“Në pranga për këtë ngjarje ka rënë një personazh banal TikTok-u, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton vajzës në rrjetet sociale. Kjo foto më pas ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera. Ky rast tmerrësisht i rëndë, ashtu si rastet e mëparshme të raportuara, apo ato raste që nuk raportohen kurrë dhe vuhen në heshtje, kërkojnë drejtësi”, theksoi Spiropali.
Sipas ministres, dënimi maksimal i autorit për shkaktim dhe nxitje të aktit të vetëvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë.
“Gjuha e poshtërimit, shantazhit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në medien vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria. Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë. Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj., kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shantazhit, shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror”, nënvizoi Spiropali.