Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, nga foltorja e Kuvendit kërkoi nga Kuvendi që të hetojë institucionet që japin kredi, pasojat e të cilave po i vuajnë qytetarët shqiptarë.
Bardhi iu referuar rastit të Pal Trashaj, i cili dy ditë më parë u helmua në dyert e SPAK, pasi po përballej me pasojat e një kredie.
“Duhet të ishim ndalur në rastin e ndodhur në dy ditët e fundit, i shpreh ngushëllime familjes Trashaj. Kuvendi duhet të reagojë. Nuk mund të heshtim kur ka mijëra qytetarë që vuajnë pasojat me kreditë nga institucione të liçensuara nga Banka e Shqipërisë.
Në këtë rast, përgjegjësinë e ka Banka e Shqipërisë. Ka liçensuar një kompani që ka nisur aktivitetin përpara se të liçensohet, ka përshtatur rregullat sipas interesave të kompanive kriminale. Ata qytetarë kanë punuar tërë jetën për të blerë një shtëpi dhe kur i shkohet i merret kjo shtëpi, i ke marrë jetën.
Të evidentojmë përgjegjësitë ligjore të Bankës së Shqipërisë, si janë liçensuar, si janë monitoruar, kur ka vepruar për ti hequr liçencën, sepse ka vepruar pasi Prokuroria ka nisur hetimet, pse nuk ka ndërhyrë për ti bllokuar në kohë, çfarë masash ka marrë.
Ne si kuvend duhet të analizojmë me shumë përgjegjësi se si mund të ndihmojmë këta qytetarë, që së pari kanë rënë viktimë e këtyre kompanive kriminale, të hetojmë çdo lidhje të këtyre kompanive”, tha ndër të tjera Bardhi.
Në replikë me të, ka reaguar deputeti socialist Eduart Shalsi. Ai tha se ka dy ditë që nuk e bën gjumin e qetë që pas ngjarjes tragjike që ndodhi në dyert e SPAK me qytetarin Pal Trashaj.
“Jo vetëm unë, por edhe shumë kolegë këtu në këtë sallë, nuk e bëjmë gjumin e qetë. Unë po e hetoj rastin, po mbledh të gjitha të dhënat e nevojshme, por nuk mund të përdoret kjo ngjarje për të sulmuar institucionet e pavarura”, tha Shalsi.