“Vetëm rezistenca mund ta shpëtojë parkun”, sërish protestë kundër kullës pas Teatrit të Operas dhe Baletit

Një tjetër protestë është thirrur ditën e sotmë në mbrojtje të parkut pas Teatrit të Operas dhe Baletit.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Lëvizja Bashkë ka ftuar qytetarët të protestojnë, ashtu si edhe një ditë më parë.

Kjtojmë që edhe pasditen e djeshme qytetarët protestuan në vendin ku pritet të ndërtohet kulla dhe më pas shkuan drejt Bashkisë, duke akuzuar Erion Veliajn dhe Edi Ramën si përgjegjës për shkatërrimin e hapësirës publike.

Njoftimi:

Dy protestat e para kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Tiranës për krimin urbanistik që po ndodh me prishjen e parkut pas Teatrit të Operës dhe Baletit. Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në to dhe shumë të tjerë janë informuar nga fushata ndërgjegjësuese intensive e aktivistëve të Lëvizjes BASHKË.

Ndonëse muaj pushimesh, i zgjedhur tinëzisht nga oligarkët dhe pushtetarët, qytetarët e Tiranës po tregojnë kundërshtinë e tyre ndaj përvetësimit të hapësirës publike, zhdukjes së gjelbërimit dhe ndotjes së ajrit.

Lëvizja BASHKË vazhdon me këmbëngulje të thërrasë qytetarët në protestë, e bindur se vetëm masiviteti i rezistencës mund ta shpëtojë parkun.

Ne luftojmë për jetën!

Ne angazhohemi për qytetin!

Ne përpiqemi BASHKË!

Ju ftojmë të na bashkoheni sërish, më të shumtë e të vendosur, në protestën e ditës së enjte, 10 gusht, aty ku sot është një vend krimi, por nesër mund të bëhet një hapësirë shprese!

Takohemi në parkun tonë!

 


Shtuar 9.08.2023 10:57