“Vetëm maja e ajsbergut”, Ukraina konfirmon mbi 10 mijë civilë të vrarë në luftë

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha se ka shifra të konfirmuara për 10,749 civilë të vdekur dhe 15,599 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus.

Në një intervistë për “Interfax-Ukraine”, kreu i Departamentit të Prokurorisë për luftimin e krimeve të kryera në kushte konflikti të armatosur, Yuriy Belushov, tha ndër të tjera se ka konfirmim për 10.749 civilë të vdekur dhe 15.599 të plagosur. Këto shifra përfshijnë 499 fëmijë të vdekur dhe 1900 të plagosur.

“Ne e kuptojmë se këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut. Kur të çlirojmë tokat tona, numrat do të shumohen. Unë mendoj se vetëm në Mariupoli do të ketë dhjetëra mijëra të vdekur”, shtoi ai.

Sipas tij, gjithmonë do të ketë rrezik të personave të zhdukur.

“Rusët mund t’i rivarrosin, t’i marrin, por ne nuk do t’i gjejmë kurrë trupat. Fatkeqësisht, raste të tilla mund të ndodhin”, tha Belusov.

“Numri i laboratorëve në dispozicion dhe aftësitë e analizës së ADN-së tani janë të pakrahasueshme me atë që kishim më parë. Prandaj, shpresoj se do të mund të identifikojmë sa më shumë trupa që gjejmë. Por do të ketë nga ata që do të duhet të kërkohen. Sepse dikush mund të jetë vrarë dhe dërguar në një vend tjetër, të varrosur në Rusi ose Bjellorusi”, vazhdoi Belusov.

Vihet re se OKB-ja regjistroi vdekjen e 143 dhe plagosjen e 605 shtetasve ukrainas në korrik, ndërsa humbjet totale që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë, sipas Organizatës, arrijnë në 9,369 të vdekur dhe 16,646 të plagosur.


Shtuar 2.08.2023 18:31