Në portin më të madh në vend, është emëruar Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual, post i cili nuk ekzistonte prej disa vitesh, pasi ish-drejtori Pirro Vengu e pati hequr nga organograma e APD.
Zv/drejtori i ri i APD-së është Rubin Rredhi, 24-vjeç. Emërimi i tij është bërë nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Nuk dihen eksperiencat e tjera profesionale të zv/drejtorit Rredhi, të cilit i besohet një detyrë shumë e rëndësishme, në një moshë kaq të re.
Ndërkohë, nuk është e qartë se kur është kryer emërimi i Rredhit në këtë detyrë, por me gjasë pasi Balluku mbeti përkohësisht në detyrë në kohën që qeveria ankimoi vendimin e GJKKO-së për pezullimin e saj, më 12 dhjetor 2025.
Më pas, më 6 shkurt të këtij viti, Kushtetusja doli me një vendim dhe la në fuqi vendimin e GJKKO-së, duke pezulluar Belinda Ballukun nga postet që mban.
Zv.drejtori i ri takim me delegacionin nga Forca e Kosovës (KFOR)
Një delegacion nga Forca e Kosovës (KFOR), ka zhvilluar një ditë më parë, 24 shkurt, një vizitë zyrtare në Autoritetin Portual të Durrësit.
Delegacioni është pritur nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Autoritetit, Rubin Rredhi.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e KFOR-it u njohën me proceset e përpunimit të mallrave dhe pasagjerëve, standardet e sigurisë, si dhe me rolin që luan porti në mbështetje të operacioneve logjistike dhe transportit detar në nivel kombëtar e rajonal.
