Drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa është vetëdorëzuar në polici. Hasa u shpall në kërkim nga autoritetet pasi u zbuluan rreth 4000 bimë kanabisi në një banesë në pronesi të tij. Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj, policia zbuloi dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e kanabisit me anë të llambave.
Nga hetimet paraprake rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit Bilal Hasa i cili tashmë u dorëzua në polici. Bëhet me dije se, Hasa ka hedhur poshtë akuzat e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë.
Sipas tij, ai nuk ka shkuar në atë objekt prej disa kohësh dhe se nuk ka pasur dijeni për veprimtarinë që ushtrohej në banesë. Në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan rreth 4 mijë bimë kanabisi, si dhe pajisje të ndryshme elektrike, përfshirë llamba dhe neonë.



