“Vëre kapuçin more bud*lla”, vajza e biznesmenit që u grabit: Njëri ishte pa maskë, dyshoj laçjan

Kanë dalë detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Nikël, ku u grabit me armë banesa e biznesmenit Nazmi Çangu.

ABC News ka siguruar dosjen e plotë me dëshmitë dhe provat pas dhunimit dhe grabitjes së biznesmenit Nazmi Çangu nga Nikla e Krujës. Vajza e biznesmenit ka deklaruar para grupit hetimor se njëri prej autorëve ishte pa maskë. Ajo ka mundur ta shquaj atë.

“Rreth orës 02:00 dëgjova babin të bërtiste dhe rënkonte, por mendova se ishte sëmurë. Hapa derën dhe aty pashë një person të gjatë, të armatosur, që më tha “pusho”. Ai u fut në dhomë ku ndodhesha me shoqen time e vëllain e mitur. Na mori telefonat dhe i mbante në dorë.

Ai thirri një tjetër person që ndodhej në katin e dytë. Ai që erdhi ishte i pamaskuar, i veshur me rroba të zeza, trup i shkurtër, i mbushur në fytyrë e me pak bark, me flokë ngjyrë kafe, afërsisht rreth 40 vjeç. Në këtë moment, personi tjetër i maskuar i tha “Vendose kapuçin more budalla”. Njëri prej tyre kishte kufje në vesh dhe komunikonte me personat e tjerë” shprehet Xhelona Çangu.

Xhelona ka treguar në polici se nëse e sheh atë person, mund ta njohë. Sipas saj, nga bisedat që autorët bënin me njëri-tjetrin me kufje, kuptoi se ishin nga Laçit.

“Nga komunikimi dukej sikur ishte nga zona e Laçit. Njëri prej tyre mori vëllain dhe e çoi në dhomën tjetër dhe e pyeste për çelësin e kasafortës. Dukej që ata e njihnin mirë familjen time. Ata na thanë “Do marrim borxhin që na ka babai juaj Nazmiu”. Nëse e shoh personin që ishte pa maskë e njoh, madje mund ta kem parë edhe herë tjetër, por nuk mbaj mend se ku” tha Xhelona Çangu.

Policia dhe prokuroria i ka kërkuar kompanive celulare që të zbardhë thirrjet telefonike përreth banesës së familjes Çangu ditën që ndodhi ngjarja, çka mund të ndihmojë deri në zbulimin e grabitësve. ABC mësoi se ata kanë qëndruar rreth një orë e gjysëm në banesën e biznesmenit. Ata kyçën në dhoma të ndryshme dy bashkëshortët dhe fëmijët, madje aty ka qenë dhe një nga shoqet e Xhelonës.

Nazmi Çangu para grupit hetimor tha se nuk mbante mend gjithçka cfarë kishte ndodhur, pasi kishte humbur ndjenjat për shkak të dhunës të ushtruar ndaj tij.

Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës. Autorët, kanë hyrë nga pjesa e pasme e banesës duke prerë telat rrethues në dy vende të ndryshme. Në pamjet filmike, një prej autorëve vërehet se fillimisht i afrohet dy makinave të parkuara në oborr dhe pasi e sheh që janë në mbyllura, ngjitet në vilën e familjes Çangu.

Biznesmeni ka pohuar se autorët kanë mundur t’i marrin një armë gjahu shotgan, bizhuteri e monedha floriri, si dhe para që kapnin vlerën e afro 120 mijë eurove.

Policia ka sekuestruar 4 prova kyçe që mund të çojnë deri në identifikimin e autorëve, një armë gjahu çifte, fasheta plastike me ngjyrë të zeza pa pjesën mbyllëse; një fishek brave i këputur përgjysmë dhe kapaku i jashtëm, si dhe një kapele me ngjyrë të zeza me strehë. Ato janë çuar në laborator për ekzaminim nëse ka ose jo shenja gishtash./ Abcnews.al/


Shtuar 26.10.2021 15:36