Mëngjesin e sotëm, Shkodra u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku një turiste amerikane, Sandra Saporito vetëm 53-vjeç, u vra nga partneri i saj, Brendon Saporito, 57-vjeç.
Pas vrasjes, autori ka tentuar të vetëvritet, duke prerë damarët e dorës me thikë, por duket se ka shpëtuar vetëm me disa plagë të lehta.
Policia ka bërë me dije se ai është shoqëruar, ndërsa 57-vjeçari ishte në gjendje të dehur.
Një udhëtim që nisi me ëndrra për një jetë të re, me shpresë dhe dashuri, përfundoi në një krim makabër…
Shkodra duket se ishte destinacioni i fundit, i asaj që duhej të ishte një aventurë për çiftin.
Një nga miqtë shkruan në një postim në profilin e autorit më 21 mars: “Shumë i lumtur që unë dhe Jason kaluam natën e fundit me Brendonin dhe Sandrën përpara se ata të nisnin disa aventura të reja të jashtëzakonshme në jetë! U urojmë atyre dhe qenushit të tyre të adhurueshëm Harvey gëzim të pafund, shëndet të plotë dhe përvojat më të mrekullueshme të jetës së tyre! Çfarë fati që ishim bashkë para nisjes suaj”.
Ishte një nisje me zemrën plot ëndrra. Çifti kishte vendosur të largohej nga SHBA përfundimisht. Më 24 mars, shesin edhe makinën e fundit dhe përgatiten për një fillim të ri në Europë.
“Po bëhet realitet! Makina u shit dhe nesër është dita jonë e fundit në SHBA para se të lëvizim në Europë! Ndjehem e emocionuar!”, shkruante Sandra në një postim të mbushur me gëzim dhe emocion.
Në rrjetet sociale, ajo ndante detaje për udhëtimin që i priste:
“Fillimisht do të nisim me një tur të ngadaltë në Europë. Do të qëndrojmë disa kohë në Ballkan dhe më pas do të udhëtojmë në Europë, derisa të gjejmë një shtëpi që do të na pëlqejë dhe që do ta blejmë. Do të fillojmë me Shqipërinë, ku kemi planifikuar të qëndrojmë për 9 muaj dhe më pas do të bëjmë vizita 1 ose 2 mujore në disa shtete”.
Më 27 mars, Sandra dhe Brendoni mbërrijnë në Shqipëri. Destinacioni i parë është Tirana, ku kalojnë disa ditë të qeta dhe të mbushura me përjetime pozitive.
“Kemi rënë në dashuri me Tiranën”, shkruan Sandra më 30 mars, duke ndarë foto nga Piramida dhe Parku i Liqenit Artificial.
Në çdo foto, në çdo postim, nuk mungon edhe Harvey, qenushja e tyre, pjesë e pandashme e familjes dhe i këtij udhëtimi.
Por ëndrra u ndërpre në mënyrën më tragjike, dhe Shkodra, që do të duhej të ishte një tjetër ndalesë e bukur në itinerarin e tyre, u kthye në skenën e një krimi të rëndë.