Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për shpërblimin e të gjithë punonjësve të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Mbrojtjes Civile dhe shërbimeve të zjarrfikësve, të cilët kanë qenë të angazhuar në terren për shuarjen e zjarreve.
Shpërblimet janë përllogaritur në bazë të ditëve që këto forca kanë qenë në gadishmëri përgjatë ditëve më përvëluese të verës dhe flakëve masive.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
DHËNIE SHPËRBLIMI PERSONELIT TË ANGAZHUAR NË OPERACIONET PËR SHUARJEN E ZJARREVE GJATË VITIT 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënie shpërblimi personelit, punonjës shtetërorë, të angazhuar në shuarjen e zjarreve gjatë verës së vitit 2025.
2. Shpërblehen punonjësit e:
a) Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
b) Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
c) Policisë së Shtetit;
ç) Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin;
d) Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në bashki.
3. Punonjësit e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, përfitojnë shpërblim, sipas kohëzgjatjes së angazhimit, si më poshtë vijon:
a) Për angazhim me kohëzgjatje, nga 1 (një) deri në 7 (shtatë) ditë, jepet shpërblim në masën e 1 (një) page mujore;
b) Për angazhim me kohëzgjatje, nga 8 (tetë) deri në 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, jepet shpërblim në masën e 2 (dy) pagave mujore;
c) Për angazhim me kohëzgjatje 16 (gjashtëmbëdhjetë) ditë e më shumë jepet shpërblim në masën e 3 (tri) pagave mujore.
4. Shpërblimi llogaritet mbi bazën e pagës mujore bruto të punonjësit të angazhuar në operacionet e shuarjes së zjarreve.
5. Efekti financiar për strukturat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2025.
6. Në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, në shpenzimet korrente, shtohet fondi prej 193 140 098 (njëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e njëqind e dyzet mijë e nëntëdhjetë e tetë) lekësh, përkatësisht 145 809 950 (njëqind e dyzet e pesë milionë e tetëqind e nëntë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekë në programin buxhetor “Forcat e luftimit”, 43 408 127 (dyzet e tre milionë e katërqind e tetë mijë e njëqind e njëzet e shtatë) lekë në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit” dhe 3 922 021 (tre milionë e nëntëqind e njëzet e dy mijë e njëzet e një) lekë në programin buxhetor “Emergjencat civile”.
7. Në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, në shpenzimet korrente, shtohet fondi prej 69 615 100 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind) lekësh në programin buxhetor “Policia e Shtetit”.
8. Efekti financiar për strukturën e përcaktuar në shkronjën “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Brendshme.
9. Efekti financiar për strukturat e përcaktuara në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga buxhetet përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore.
10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.