Vendimi i qeverisë, ja si do të rriten pagat e mësuesve sipas kategorive

Rritja e pagave të mësuesve dhe policëve ishte lajmi që bëri bujë pak javë më parë në media, asi kryeministri Rama premtoi se rroga mesatare në Shqipëri vitin e ardhshëm do të shkojë në 900 euro.

Ndërkohë që ditën e sotme vendimi i qeverisë për rritjet e pagave të mësuesve dhe policëve është hedhur në fletorn zyrtare.

Por si do të ndryshojë paga e mësuesve?

Sipas tabelave të vendimit, pagat e mësuesve në të gjitha ciklet rriten mesatarisht me 3 mijë deri në 4 mijë lekë në muaj dhe rritja ka hyrë në fuqi duke filluar nga data 1 prill e këtij viti, ndërsa për punonjësit e policisë së shtetit, rritja është më e lartë dhe shkon deri në 10 mijë lekë në muaj.

Më konkretisht, për mësuesit në shkollat e arsimit të mesëm të lartë, paga bazë ishte 54.9 mijë lekë në muaj. Me vendimin e fundit të qeverisë ajo bëhet 58.8 mijë lekë në muaj, duke shënuar një rritje prej 7 për qind.

Për mësuesit në arsimin e mesëm të ulët në shkollat 9 vjeccare, paga rritet nga 51.2 mijë lekë në muaj që ishte, në 54.8 mijë lekë në muaj.

Mësuesit në arsimin fillor në shkollat 9-vjeçare do të kenë një pagë të re bazë prej 48 mijë lekësh në muaj duke filluar që nga data 1 prill ose 3 200 lekë më shumë në muaj nga sa merrnin deri tani. Vendimi i qeverisë I rrit rrogat për të gjitha kategoritë e arsimtarëve përfshirë drejtuesit e shkollave, por edhe edukatorët në kopshtet publike të vendit.


Shtuar 24.04.2023 17:30