Gjatë seancës së sotme në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë”, ka dëshmuar kambisti Xhemal Lici, i cili në 19 nëntor të vitit 2012 në Elbasan, ra pre e një grabitje dhe u plagos me armë zjarri nga grupi i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Gjatë dëshmisë së tij, Xhemal Lici ka rrëthyer se është grabitur në momentin që sapo ka dalë nga banesa dhe se ai nuk e kishte menduar se do ta qëllonin. Ai tha se në momentin e grabitjes kishte me vete kishte 120 milionë lekë të vjeta.
“Dola, nuk pandeha se do më qëllonin. Kisha 12 milionë lekë të reja me vete, në një çantë, që i lashë në bagazhin e makinës dhe po kthehesha të mbyll derën e shtëpisë, kur u sulmova,” tha Lici.
Kabisiti ka deklaruar se është grabitur nga 4 persona, të cilët e kanë qëlluar 4 herë, 2 herë në gjoks dhe 2 në këmbë.
“Unë dilja në 6:30 nga shtëpia në lagjen Kala në Elbasan. Dola, nuk pandeha se do më qëllonin. Dola dhe futa lekët në makinë. Kisha 12 milionë lekë të reja me vete. I kisha në një çantë lekët. I lashë lekët në bagazh dhe u ktheva të mbyll derën e shtëpisë. Pastaj pash që ishin 4 vete. Më qëlloi njëri, 2 herë në gjoks dhe 2 në këmbë”, deklaroi ai.
Lici më tej, tha se pas grabitjes, Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, i kishte shkuar në dyqan dhe e pyeste nëse kishte mësuar se kush ishin ata personat.
“Ai punonte taksixhi në të zezë. Thyente ndonjë 20-30 euro. Kur nuk kishte njerëz aty, pyeste. I thashë, ty nuk të vjen keq për mua. Duket sikur ke mizë në kësulë. Ke ardhur deri tani, mos të të shoh më në dyqan”, tha ai në deklaratë.
Më tej kambisti shtoi se nuk e njihte Talo Celën, por se e kishte parë në TV.
“Një vit para se të fliste Dumani unë e pashë Talo Çelën në një intervistë në televizion dhe e njoha, nga përmasat e trupit, si një nga personat që më ka goditur në ngjarje. Ai ka qenë pas Dumanit në ngjarje”.
