Veliaj pretendoi se nuk u shoqërua në kohë në seancë gjyqësore, reagon Drejtoria e Burgjeve: Kryebashkiaku refuzoi të…

Këtë të hënë, Gjykata e Posaçme, ka shtyrë seancën e shqyrtimit paraprak ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Në një deklaratë për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, i është përgjigjur pretendimeve të avokatëve të Erion Veliajt, duke theksuar se nga ana e tyre, nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të seancës së sotme paraprake në GJKKO, për kalimin ose jo për gjykim të dosjes në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës.

“Burgjet” sqarojnë se Veliaj është njoftuar në kohë nga forcat policore të burgjeve për përgatitjen dhe nisjen e seancës gjyqësore, por se kryebashkiaku ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i policisë së burgjeve ishte vonuar”.

DEKLARATA

Në lidhje me reagimin e bërë në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor.


Shtuar 5.01.2026 13:34

Tags: ,