Veliaj kërkon që emërimi i Ols Dados si Prokuror të shpallet i pavlefshëm, Gjykata Administrative shtyn seancën

Gjykata Administrative ka shtyrë seancën në lidhje me padinë e bërë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili ka kërkuar pavlefshmëri të emërimit si prokuror në vitin 2008. Seanca e radhës do të mbahet më 8 maj, ora 14:00.

“Seanca shtyhet që të rregullohet ndërgjyqësia në të kundërt do të vendoset pushimi i padisë”, u shpreh gjykata.

Të lidhura

None found

Kujtojmë që më herët, Veliaj u shpreh gjatë seancës se me Ols Dadon është në konflikt interesi, ndërsa shtoi se Nesti Angoni që e ka kallëzuar atë nuk ekziston.

“Me Ols Dadon jam në konflikt interesi, pasi ai me telefonin e prokurorisë ka kërkuar leje ndërtimi. Dado vinte shpesh në Bashkinë për të kërkuar jo vetëm leje për veten. Vënia e njerëzve në detyra kur nuk plotësojnë kriteret, jo vetëm tek unë por tek bashkia e Tiranës, ka sjellë pasoja të rënda. Sot nuk firmos më tek bashkia e Tiranës, që kanë të bëjnë me këtë njeriun. Sot plehrat janë sheshit, se edhe unë erdha sot këtu dhe pashë. Ditën që jam arrestuar kam inauguruar një kopsht në Kashar, janë 14 muaj s’është hapur një kopsht”, tha Veliaj, i cili shtoi “duke parë çfarë hallesh ka KLP këto kohë, çmund të themi”.

Padia e Veliajt

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, depozitoi më 23 janar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.

Sipas padisë emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.

Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.

“Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret në kundërshtim të hapur me dispozitat urdhëruese procedurale të ligjit nr. 8737, duke realizuar një emërim pa bazë ligjore dhe në mungesë të kompetencës materiale ratione personae për të emëruar një subjekt që nuk përmbushte kriteret e ligjit. Ky fakt përbën një shkelje flagrante të rendit juridik dhe një rast tipik të pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ, në kuptim të nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative, pasi: (i) akti është nxjerrë në kundërshtim flagrant me normat urdhëruese të ligjit; (ii) personi i emëruar nuk plotësonte kushtet e përgjithshme dhe të posaçme ligjore; dhe (iii) organi publik ka ushtruar kompetencën e tij për emërim në shkelje të kushteve procedurale të vlefshmërisë së aktit, duke e bërë dekretin juridikisht të paefektshëm dhe nul abinitio”, thuhet në kërkesë padi.


Shtuar 3.04.2026 14:51