Gjendja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është e mirë, i kthjellët dhe i qartë, por Gjykata dhe Prokuroria duhet t’i garantojnë një mbrojtje efektive nëpërmjet procesit, njohjes me aktet dhe kohës në dispozicion.
Kështu u shpreh sot në një lidhje live në “News 24”, Plarent Ndreca, avokati më i ri i kryebashkiakut të akuzuar nga SPAK dhe me masë sigurie “arrest me burg” nga GJKKO prej 10 shkurtit 2025, për disa akuza.
Ish-deputeti i PS, që aktualisht është mbrojtësi ligjor i Veliajt që prej ditës së djeshme kur GJKKO ia pranoi kërkesën, shprehu rezerva për procedurat e ndjekura deri tani nga organi i akuzës dhe gjykata ndaj kryebashkiakut, që lidhen me aktet e dosjes dhe dorëzimin e tyre.
“Dy javë më parë jam vënë në dijeni për çështjen dhe vendimmarrja e gjykatës për mua si avokat është e natyrshme. Jemi në fazën fillestare, jam i panjohur ende me aktet. Nuk është bërë në mënyrë efektive njohja e tij me aktet. Megjithatë po bëjmë përpjekje me prokurorinë dhe Gjykatën për ta zgjidhur këtë dhe të mos jetë thjesht t’i japim dosjen personit, por të njihet realisht dhe të ketë kohën e duhur dhe të ketë një mbrojtje efektive”, shpjegoi Ndreca mes të tjerash.
I pyetur se si është gjendja e kryebashkiakut në paraburgim, avokati tha se:
“Gjendja e Veliajt është shumë e mirë, si nga ana shëndetësore dhe emocionale, është i qartë dhe i kthjellët, pra gjendja e zotit Veliaj është e mirë”.
Por shtoi se situata që po kalon kryebashkiaku nuk është aspak normale dhe duhet t’i krijohen kushtet sipas të drejtave që i takojnë, për t’u mbrojtur dhe për t’u njohur me aktet penale.
Gjithsesi Ndreca theksoi se Veliaj është i vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj përballjeje.
“Pavarësisht se nuk është situatë normale, patjetër që zoti Veliaj është i qartë për situatatën, i bindur dhe jo vetëm i bindur, por i vendosur për ta çuar deri në fund këtë përballje”, tha ai.
Dje u pranua zyrtarisht nga GJKKO ndryshimi i avokatit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, teksa çështja ka nisur në themel.
Ish-deputeti socialist Plarent Ndreca deklaroi se ai nuk kishte konflikt interesi me këtë çështje, pasi nuk ishte thirrur kurrë nga SPAK për t’u marrë në pyetje për këtë rast. Ai tha se vendimi për të përfaqësuar Veliajn në gjykatë, duke qenë se njihen prej kohësh në aspektin politik dhe profesional.
Ndreca bëri të ditur se seanca e fundit nuk u zhvillua për shkak të mungesës së palëve të tjera dhe shtoi se ende nuk është njohur plotësisht me aktet, ashtu si edhe vetë Veliaj.
“Ishte vendim i duhur ligjor, pasi kërkesa e prokurorëve ishte e pabazuar, pasi nuk kisha dështuar për këtë çështje. Nuk kishte konflikt interesi. Jo nuk ishte lajm sekret, por as për t’u bërë publike. Ne njihemi si bashkëpunëtor politik, ishte vendimmarrje e natyrshme. U kërkua nga zoti Veliaj. Ka qenë një proces i vijueshëm, por nuk di të them se kur u kërkua. Kam qenë dhe më herët avokat i zotit Veliaj. Vendimmarrja ishte para 2 javësh që unë të mbuloj procesin e çështjes në themel. Dje nuk u zhvillua procesi, për shkak të mosprezencës së të dy palëve të tjera. Unë jam ende i panjohur me aktet. Dhe zoti Veliaj nuk është njohur mirë me aktet. Nuk duhet të ngelet një proces formal, ku nuk garantohet ashtu siç e përcakton Kushtetuta, që personi nën akuzë duhet të ketë kohë për t’u mbrojtur në mënyrë efektive”, vijoi Ndreca.
Dhe në fund shtoi se:
“Nuk është situatë normale, është situatë që kushdo e përjeton jo mirë. Për më tepër një politikan dhe kryeqytetari i qytetit tonë. Por zoti Veliaj është i qartë me situatat dhe është i bindur dhe i vendosur për t’u përballur me këtë betejë”.
