“Shënjestër” e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt vijon të jetë prokurori Ols Dado. Ashtu sikurse reagimet e kaluara dhe në këtë reagim për “Top Story” qytetari i parë i Tiranës ka lëshuar sërish akuza ndaj prokurorit.
Duke theksuar se nuk është duke goditur drejtësinë, pasi në SPAK ka plot njerëz dinjiotz, të cilët i ka quajtur sërish “kolegë”, Veliaj tha se “pyll pa derra nuk ka”.
“Unë nuk po godas drejtësinë! Në SPAK ka plot njerëz dinjitozë, me 10-ta, me meritë dhe me profesionalizëm, që i bëjnë nder kësaj reforme. Dhe po, kolegë janë, punojmë të gjithë për Republikën, për Shtetin, për vendin. Koleg është edhe pastruesi e polici, edhe kryeministri dhe Presidenti – se punojmë të gjithë për një mision, Shqipërinë në Europë e Tiranën si pjesën më Europiane të saj.
Por, nuk ka pyll pa derra dhe nëse na shitet si ajkë dikush me 5-a, që e çan karrierën nga shtrati e jo nga shteti, me konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të kritereve, patjetër që do të flas”, tha Veliaj, teksa më tej bëri me dije se i biri nuk e di ende që është në qeli, ndërsa djali i prokurorit Ols Dado sipas kryebashkiakut lëviz me “Range” në bllok.
Në vijim, Veliaj u shpreh se në një kohë kur ai nuk takon askënd në qeli, ish-kryeministri Sali Berisha është I lirë, madje në kohën kur ndaj tij ishte në fuqi masa “arrest shtëpie”, ish-kryeministri takonte “me kuç e me maç”.
“Jemi në situatë komplet të pabarabartë: Unë në burg, ku as takoj njeri, as informohem dot. Sot as krerët e kulteve, as deputetët, as dy senatorë italianë, as nënkryetarët e Bashkisë, as anëtarët e Këshillit Bashkiak, e askush tjetër nuk lejohet. Kurse Sali kërma i 21 Janarit e Gërdecit, që i kërkon falje Olsit, është i lirë. Edhe kur ishte në arrest shtëpie dhe nuk i lejohej takimi me asnjë person, përveç familjarëve, ai vazhdonte qetësisht të priste me kuç e me maç pa e ndaluar kush dhe në kundërshtim të urdhërimit të SPAK dhe të vendimit të Gjykatës.
Po kështu, nuk patën guximin, kur ishte në arrest shtëpie e paraqitej në gjykatë, ta shoqëronin me automjetin e Policisë së Shtetit, por lëvizte me makinën e tij private, serbes-serbes. Jo e njëjta gjë ndodhi me bashkëshorten time, pasi në respektim të ligjit u paraqit ditën e seancës e shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe me automjetin e tyre”, tha kryebashkiaku në përgjigjen e kthyer me shkrim nga qelia.