Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka bërë një dedikim prekës për Sidorela Kola 18 vjeçe, e cila ishte një studente ekselence në degën e biznesit.
Ajo humbi jetën bashkë me nënën Prena Kola 43 vjeçe dhe Ermira Kola 16 vjeçe pasi ranë në kontakt me energjinë.
Një nga vajzat mësohet se po lahej në dush dhe dyshohet se ra në kontakt me rrymën. Për ta shpëtuar shkoi e motra e pas saj shkoi edhe e ëma, por që fatkeqësisht ndërruan jetë të treja. Dy djemtë e familjes Kola që janë gjallë, 12 dhe 17 vjeç, do të duhet të vuajnë tragjedinë e përmasave të mëdha që goditi familjen.
Postimi nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, në rrjetet sociale:
Me hidhërim të thellë morëm vesh lajmin e ndarjes nga jeta të studentes sonë të shkëlqyer Sidorela Kola, motrës dhe nënës së saj.
Kjo tragjedi e madhe ka tronditur shokët, pedagogët, mbarë komunitetin tonë universitar. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kola dhe miqtë.
Falënderoj Fakultetin e Biznesit për homazhet që po zhvillojnë për Sidorelën dhe iu bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen nismës së tyre për mbledhjen e kontributeve për familjen Kola.
Mendjet e lutjet tona janë me ta!
Prof. Dr. Kseanela Sotirofski Rektor”.