Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me vdekjen e Ilvi Metës në komisariatin e Policisë së Kavajës.
Kreu i shtetit i ka shprehur ngushëllime familjes, ndërsa shkruan se është e papranueshme që një qytetar humb jetën brenda institucioneve shtetërore, sikundër është Komisariati i Policisë së Kavajës.
Sipas Metës, kjo ngjarje ka tronditur thellësisht besimin e qytetarëve tek organet ligjzbatuese.
Ai ka bërë thirrje për zbardhjen e ngjarjes.
“Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit Ilvi Meta, e konsideroj tepër të rëndë dhe të papranueshëm faktin që një qytetar humb jetën brenda institucioneve shtetërore, sikundër është Komisariati i Policisë së Kavajës.
Humbja e një jete në një moshë fare të re brenda Komisiariatit të Policisë përbën jo vetëm një tragjedi familjare, por trondit thellësisht besimin e qytetarëve tek organet ligjzbatuese.
Bëj thirrje për zbardhjen sa më parë të rrethanave të vdekjes tragjike të të riut Ilvi Meta dhe vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për këtë tragjedi të pajustifikueshme!”, shkruan Meta.