Ditën e sotme në Tiranë do të zhvillohet një protestë para Prokurorisë pas vdekjes së 22-vjeçares keniane Joy Aoko.
Ajo u dhunua barbarisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën ‘Pandeli Evangjeli’ në Tiranë dhe ngjarja nuk ka ende autor.
Protesta do të zhvillohet në orën 17:00 dhe do të kërkohet drejtësi për vrasjen barbare të 22-vjeçares nga Kenia e cila kishe ardhur për të punuar në një kazino në Tiranë. Por rrethanat si ka ndodhur ngjarja ende janë mister.
Në një apel në rrjetet sociale, shoqja e saj, e cila mbërriti me të në Tiranë thotë se ai person që e dhunoi është i lirë dhe nesër mund të dhunojë një tjetër vajzë. Ajo bën thirrje që të bashkohemi për të kërkuar drejtësi në emër të familjes e miqve.
“Ne erdhëm në Shqipëri të dyja, por Joy u sulmua brutalisht. Kanë kaluar 7 muaj dhe ne ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Prandaj po ju drejtohem ju për të kërkuar drejtësi në emër të familjes dhe miqve. Dhe jam për t’iu thënë se ai person sot është i lirë. Dhe kurrë nuk e dini, dje ishte Joy, nesër mund të jem unë, ti, vajza jote. Pra le të bëhemi bashkë, Kenia dhe Shqipëria dhe të ndihmojmë familjen e Joy-t për drejtësi sepse jemi të shkatërruar. Kanë kaluar 7 muaj dhe askush nuk ka të dhënë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Ju lutem shumë të protestojmë për drejtësi për Joy. Dhe kjo do të thotë shumë për mua dhe për familjen e Joy”, shprehet ajo.
22-vjeçarja ndërroi jetë në Kenia ndërsa lajmi u konfirmua nga nëna e saj. Joy u largua nga spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme me 25 janar 2023.
Prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë, megjithëse ngjarja është ende e mbuluar me mister. Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali.
Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve./Albeu.com/.