Vdekja e mistershme e tre vajzave në Greqi, prangoset nëna

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vdekja e tre vajzave të mitura në Patra të Greqisë.

Sipas burimeve nga mediat greke, është lëshuar urdhër-arresti për nënën pas rezultateve të analizave toksikologjike në trupin e 9-vjecares Georgina.

Nga hetimet doli se në gjakun e vogëlushes, një prej tre vajzave të familjes nga Patra që humbën jetën papritur është gjetur ketamine. Ketamina është një substancë që përdoret kryesisht në mjekësinë veterinare si anesteziko-qetësues i shpejtë, por në doza të vogla ka efekte psikoaktive dhe përçarëse.

Këto rezultate vunë në lëvizje hetuesit e rastit duke zbërthyer ngjarjen dhe duke nxjerrë zyrtarisht urdhrin e arrestit për nënën.

Mjekët thanë se nuk i kanë dhënë kurrë asnjë ilaç Georginës së vogël që përmban substancat e gjetura në testin toksikologjik të kryer pas vdekjes së fëmijës. Kjo i hap rrugën hetimit për dy vajzat e tjera që humbën jetën në rrethana misterioze dhe me shumë pikëpyetje.


Shtuar 30.03.2022 20:35