Vdekja e minatorit në Bulqizë/ Arrestohen 5 punonjës të stafit teknik: Nuk morën masa për sigurimin e kushteve (EMRAT)

Ditën e djeshme, një ngjarje tragjike ka ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën 66-vjeçari F.V., si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor në galeri.

Policia ka arrestuar në flagrancë pesë punonjës të stafit teknik të minierës, të dyshuar se nuk morën masat e nevojshme për sigurimin e kushteve të punës.

Të arrestuarit janë Njazi Përkola, Besnik Çupi, Ferit Truka, Ervis Kadiu dhe Edmond Xhafa. Hetimet paraprake tregojnë se neglizhenca në respektimin e rregullave të sigurisë ka çuar në pasojën fatale.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te kushtet e punës në minierat shqiptare.

Njoftimi i policisë:

Bulqizë

Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën dje, shtetasi F.V., arrestohen 5 punonjës të stafit teknik.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. V., 66-vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46-vjeç, B. Ç., 68-vjeç, F. T., 61-vjeç, E. K., 35-vjeç dhe E. Xh., 51-vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.


Shtuar 7.08.2025 09:49