Avokati Tom Gashi, gjatë një interviste televizive, ka folur rreth ngjarjes së rëndë në Kosovë, ku ka rrëfyer detaje nga hetimi për vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas tij, që në fillim, policia i kishte provat për të dyshuar se Naim Murseli ishte i përfshirë në ekzekutimin e bashkëshortes së tij.
“Naim Murseli ka qenë shoferi. Bashkëshortja ka qenë fare pranë. Ai ka dalë nga makina kur ka ardhur vrasësi me maskë, është supozuar që është një plaçkitje. Ai mori fëmijët, por la bashkëshorten. Sipas dëshmive, kur u largua, dëgjoi një krismë, por nuk u kthye. Policinë nuk e mori me telefonin e tij, i tha shitëses në market. Që këtu, policia mund ta kuptonte se diçka nuk shkonte. Pastaj tha në dëshmi se sa ditë fjeti në një hotel, kjo mund të verifikohej lehtë. Policia i zbuloi këto gjëra kur pa kamerat, u pa makina që ishte marrë me qira për disa ditë. Përmes makinës, u identifikua kush është vrasësi. Kur vrasësi tregoi për 30 mijë eurot që i ishin premtuar, hetimi u zgjerua, u pa që ishte dhe një i afërm i përfshirë”.
Sipas babait, Naim Murseli shkëmbente komunikime me një grua, me të cilën dyshohet se kishte një romancë. Duke folur për shkakun që e “motivoi” të thurë planin për vrasjen e nënës së dy fëmijëve, avokati u shpreh se motivi ka qenë aq i frikshëm, sa ai vendosi që plani të vihej në zbatim atë ditë, edhe pse në makinë ndodheshin edhe të miturit.
“Ai po ndryshon deklaratat për të fshehur motivin e vërtetë. Ka folur për mesazhe që pretendon se i ka parë Liridona. Edhe babai i tij ka folur mesazhet që tregojnë se Naim Murseli ka pasur një lidhje me një grua të një të afërmi të tij. Unë mendoj se Naim Murseli është duke fshehur motivin e vërtetë. Duket se për Naimin, motivi ka qenë aq i frikshëm, sa ka vendosur që atë ditë të kryhet vrasja e bashkëshortes dhe motivi është ai që e ka frikësuar. A ka qenë i shtyrë nga dikush? A ka pasur Liridona informacione? Mendoj që Naimi po jep një motiv të vockël, por motivi kryesor është i fshehur”.
Gashi hedh dyshime mbi telefonat e Naim Murselit dhe Liridona Ademajt, që nuk janë gjetur nga Policia e Kosovës.
“Si është e mundshme që u zhdukën provat, edhe të Liridonës, edhe të Naimit. Megjithatë, motivi është ai që besoj e ka nxitur Naim Murselin që të organizojë vrasjen e Liridonës. Policia duhet të gjejë nëse telefonat i mori dikush. Mund të ndodhë që kush ka ato telefona të shantazhojë dikë të tjerë të përfshirë, por ky është thjesht hamendësim”.