Vdekja e Lear Kurtit, ish-drejtuesi i policisë: Duhej dërguar në spital dhe jo ta shoqëronin në atë gjendje

“Brenda 48 orësh do të jap shpjegime për vdekjen e Lear Kurtit”. Kështu u përgjigj drejtori i policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në mbledhjen për Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Aty pati debate të ashpra që në nisje pasi opozita kërkonte përgjigje për shkaqet e vdekjes së 32-vjeçarit.

Ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj i ftuar në “Radar” ka folur për ngjarjen e rëndë që tronditi Tiranën dhe sjelljen e policisë. Ai ka theksuar se efektivët duhet të dërgonin menjëherë Lear Kurtin në spital pasi kanë parë gjendjen e tij të rënduar dhe jo në komisariat, raporton abcnews.

Për sa i përket deklaratës së Rrumbullakut, Hajdarmataj theksoi se nuk është normale që të shprehen me kaq vonesë. Sipas tij policia është shumë hermetike në informimin e qytetarëve për ato që ndodhin.

“Nuk është normale të zgjaten kaq shumë reagimet në një ngjarje të tillë, ku policia është vetë e akuzuar në një krim. Por edhe në rrethana të tjera, policia duhet të jetë prezentë në aspektin e komunikimit me qytetarin. Këtu policia është hermetike me qytetarët dhe jep versione të ndërruara. Nuk jemi korrekt nga policia.”

“Policia duhet ta shoqëronte në spital dhe jo në komisariat”

“Janë dy momente. Ne nuk merremi dot me pjesën se si do shkojë hetime. Ne deri me tani kemi para diçka. Nuk ka lidhje nëse ai ka konsumuar kokainë, apo ka pasur arrest kardaiak. Por mënyra e sjelljes së policisë është skandaloze. Policia edhe rastësisht është e detyruar të japi ndihmë qytetarëve” tha Hajdarmataj.