Më shumë se një muaj pas ndarjes së papritur nga jeta të dizajnerit të njohur nga Gjilani, Festim Isufi, familjarët e tij ende nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare mbi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes. Në një intervistë për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, vëllai i tij, Lulzim Isufi, ka ngritur dyshime serioze mbi mundësinë që në këtë rast të jetë i përfshirë edhe një person i tretë.
“Akoma nuk kemi marrë raportin e autopsisë. Nuk ka asgjë të sigurt, jemi ende në pritje,” u shpreh ai, duke theksuar se familja vazhdon të mos ketë qasje në të dhëna zyrtare.
Megjithëse nuk ka konfirmime nga prokuroria, Lulzimi pretendon se ka informacione që sugjerojnë një prapaskenë më të komplikuar.
“Sipas informatave që kam unë personalisht, edhe pse nuk mund të flas me siguri të plotë, dyshoj se është përfshirë një person i tretë. Madje besoj se edhe prokuroria e di këtë,” shtoi ai.
Familja Isufi apelon për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit, duke u shprehur se nuk ndërhyjnë në hetime, por kërkojnë transparencë dhe drejtësi për humbjen e tyre të madhe.