Është publikuar vendi se ku është fundosur gomonja me mbi 34 emigrantë që po tentonin të kalonin gjatë natës nga Franca në Britaninë e Madhe.
Siç shihet nga harta, në këto momente shumë anije shpëtimi po kërkojnë për viktima dhe të mbijetuar. Sipas asaj që shkruan BBC, paraprakisht dyshohet të ketë viktima, megjithatë kjo nuk është konfirmuar ende nga autoritetet.
Varkat e shpëtimit, ekipet e shpëtimit të rojes bregdetare, ashtu sikurse edhe një ambulancë ajrore kanë shkuar për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.
Një anije peshkimi ishte gjithashtu në zonë për të ndihmuar. Në operacion janë përfshirë edhe helikopterë të Rojes Bregdetare nga Lydd dhe Lee on Solent dhe një nga Marina Franceze.
Shërbimi i Ambulancës në Bregun Juglindor tha se u njoftua për ngjarjen rreth orës 03:40 dhe se kishte dërguar ekuipazhe në Dover të Kentit, për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.
Momentalisht nuk dihet kombësia e emigrantëve që ndodheshin në varkë.