Vazhdojnë reagimet, BDI: Sela dhe Taravari janë bërë avokat mbrojtës të VMRO-DPMNE-së

“Puçistët e dështuar të Levicës dhe avokatët e VMRO-së Taravari dhe Sela i bashkohen fushatës antishqiptare”, kështu kanë filluar reagimin nga Bashkimi Demokratik për Integrim ndaj Aleancës për Shqiptarët, pasi këta të fundit reaguan paraprakisht ndaj tyre.

Nga BDI më tej thonë se ASh po bëhen avokat mbrojtës të VMRO-DPMNE-së.

“Përderisa Bashkimi Demokratik për Integrim është fuqishëm e angazhuar për avancimin e rrugës së eurointegrimit të vendit, kultivimin dhe fuqizimin e vlerave proeuropiane të barazisë, ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore dhe ruajtjen e konzistencës strategjike proeuropiane, Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës dhe Arben Taravarit ka vendosur të bëhet avokat mbrojtës i VMRO DPMNE-së dhe fushatës së saj në thelb antishqiptare. Puçistët e dështuar të Levicës dhe VMRO-së përmes shpifjeve dhe demagogjisë populiste tentojnë të maskojnë veten për atë se pa iu dridhur qerpiku u bënë bashkë me doktrinën e Levicës e cila proklamonte tërheqjen e njohjes së Kosovës, qëndrimet e tyre dhe të VMRO-së kundër Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, kundër Marrëveshjes së Prespës, përdorimit të gjuhës shqipe, qëndrimet anti SHBA, anti NATO dhe anti BE”, thanë nga BDI, transmeton TV21.

Për shkak të kësaj, siç thonë nga BDI, mbështetjen e bllokut opozitar maqedonas nga ASh-ja, kjo e fundit “mori dënimin e merituar nga qytetarët duke pësuar rënie drastike të rejtingut me përgjysmimin e numrit të votave në zgjedhjet e fundit lokale”.

Në reagimin e BDI-së më tej thuhet:

“Qytetarët e vendit duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se vendi nuk duhet të devijojë nga rruga e integrimit në Bashkimin Europian dhe partneritetit me SHBA, tashmë 20 vite qëndrojnë në mbështetje të Ali Ahmetit dhe BDI-së, si faktor që me vendosmëri ruan vlerat e demokracisë europiane në vend.

Bashkimi Demokratik për Integrim në çdo strukturë qeverisëse me projekte konkrete ka avancuar vlerat e barazisë, ka faktorizuar shqiptarët në institucionet e vendit, ka pasur dhe ka prioritet jetën cilësore të qytetarëve të vendit. Këto të arritura janë realitet i pakontestueshëm dhe akuzat e pabaza të ASH-së nuk mund të hedhin pluhur dhe të minimizojnë peshën e tyre.

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon që të kërkojë vetingun në çdo instancë gjyqësore dhe të kërkojë denoncimin e çdo rasti me dëshmi objektive e jo me plasime mediatike të pabazuara për senzacionalizëm banal./TV 21/


Shtuar 1.02.2022 17:18