Mijëra izraelitë që valëvisnin flamurin e vendit vazhduan protestat në mbarë vendin të shtunën në mbrëmje, pas një jave trazirash të shkaktuara nga miratimi i një pakete ligjore që kufizon pushtetin e Gjykatës së Lartë.
Nga kodrat e Galilesë veriore deri te rrugët që përshkojnë qendrën financiare të Tel Avivit, protestuesit, duke u rënë daulleve dhe borive, dolën në rrugë gjatë mbrëmjes me temperatura të larta.
Ndryshimet në gjyqësor të qeverisë së djathtë të zotit Netanyahu, pjesa e parë e së cilave u miratua të hënën, ka krijuar një krizë të paprecedentë dhe një përçarje të thellë shoqërore. Kjo është java e 30-të e protestave.
Plani i qeverisë ka tronditur edhe përkushtimin e rezervistëve të ushtrisë, ndërsa ka nxitur edhe paralajmërime të rrepta për pasojat ekonomike.
Disa organizata kanë apeluar tek Gjykata e Lartë për të shfuqizuar ligjin e ri, i cili i heq autoritetin vetë kësaj gjykate për të anuluar ato që i konsideron vendime ‘të paarsyeshme’ nga qeveria dhe ministrat. Gjykata tha se do të dëgjonte argumentet në shtator, duke krijuar mundësinë për një përballje kushtetuese.
Kryeministri Netanyahu është përpjekur të minimizojë ndikimin e ligjit të ri, i miratuar pas disa ditësh debati të ashpër dhe me tone të larta në parlament në një votim që u bojkotua nga opozita. Ky është një nga disa ndryshimet që qeveria e tij thotë se janë të nevojshme për të balancuar degët e qeverisë.
Kritikët thonë se ai po kërcënon parimet demokratike të Izraelit dhe pavarësinë e gjykatave, duke nënvizuar se kjo mund të ketë lidhje edhe me një çështje me dyshimin për korrupsion me të cilin po përballet vetë zoti Netanjahu. Ai e mohon këtë, dhe gjithashtu ka hedhur poshtë akuzën për korrupsion kundër tij.