Vazhdimi i aksionit opozitar, të hënën PD mbledh Kryesinë

Ditën e hënë Partia Demokratike do të mbledhë Kryesinë, nga ku pritet të vendoset vazhdimi i aksionit opozitar. Mësohet se tre janë pikat ku Kryesia do të diskutojë, çështjet organizative, axhenda e vazhdimit të aksionit opozitar dhe çështje të tjera.

Mesazhi dërguar anëtarëve:

Përshëndetje miq. Ditën e hënë në ora 18:00 do zhvillojmë mbledhje kryesie me rend dite;

1-Çështje organizative

2- Axhenda e vazhdimit të aksionit opozitar

3- Të tjera.

Aksioni opozitar është përshkallëzuar pas vendimit të gjykatës së Apelit për burgosjen me një vit burg të Ervin Salianjit, i akuzuar për “kallëzim të rremë”. Ndërkohë në Komisionet Parlamentare dhe seancat plenare opozita nuk lejon zhvillim normal të punimeve. Disa deputetë të opozitë janë përjashtuar, pasi dogjën karriget në oborrin e Kuvendit. Ndërsa vetëm një ditë më parë pati tensione dhe kaos brenda dhe jashtë parlamentit.

Më 7 tetor u zhvillua dhe protesta kombëtare e thirrur nga opozita zgjati 2 ore e 30 minuta, ndërsa u shoqërua me tensione dhe kaos. Tubimi ka nisur para Kryeministrisë, ku qytetarët kanë hedhur disa herë molotov drejt godinës dhe fishekzjarre. Gjithashtu ka pasur një përplasje edhe mes efektivëve dhe deputetëve të opozitës, pasi këta të fundit tentuan të çajnë kordonin policor. Pas kryeministrisë, protestuesit dhe përfaqësuesit e opozitës i janë drejtuar selisë së Partisë Socialiste, ku po ashtu është hedhur molotov. Në një moment ka marrë flakë dhe hyrja e selisë, ndërsa është djegur dhe banderola me foton e Ramës, në hyrje të godinës. Po ashtu nuk kanë munguar edhe përplasjet me efektivët.

Situata më e tensionuar u paraqit në rrugicën ku ndodhet bashkia e Tiranës dhe ministria e Brendshme, ku dhe është hedhur sasia e madhe e molotovit. Policia iu është kundërpërgjigjur qytetarëve me sasi të madhe gazi lotjsellës dhe spraji neutralizues. Si pasojë mbetën të lënduar qytetarë, mes tyre dhe një fëmijë i mitur. Ndërkohë policia bëri me dije se 10 efektivë po ashtu janë lënduar. Destinacioni tjetër i protestuesve ishte Kuvendi, ku kësaj here protestuesit nuk janë lejuar të afrohen fare pranë perimetrit të parlamentit për shkak të një sasie të madhe të hedhur nga efektivët e policisë.


Shtuar 18.10.2024 20:41