Vartësit e besuar të Belinda Ballukut/ Shkarkohen krerët e ARRSH dhe KESH, ja kush i zëvendëson

Gentian Gjyli, i cili është marrë i pendehur nga SPAK “për shkelje të barazisë në tendera” dhe aktualisht në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së, është larguar nga drejtimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Në vend të tij është emëruar Ami Kozeli. Ami Kozeli është liruar nga detyra si zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe është emëruar në krye të ARRSH-së,

Ndërkohë Viola Haxhiademi, është emëruar në krye të KESH, institucion që drejtohej nga Erald Elezi, i cili gjithashtu ndodhet në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së i akuzuar për veprat penale “shkelje të barazisë në tendera”. Haxhiademi prej vitesh ka shërbyer në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si drejtoreshë e Kabinetit të Ministres dhe që prej vitit 2019 si Sekretare e Përgjithshme.

Pavarësisht lëvizjeve nga një institucion në tjetrin, Haxhiademi dhe Kozeli do të vijojnë të jenë në varësi të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Akuzat ndaj Gentian Gjylit

Sipas materialeve hetimore, Gentian Gjyli, i cili ka mbajtur funksione drejtuese në struktura të lidhura me menaxhimin e projekteve energjetike dhe infrastrukturore, akuzohet për: shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera, bashkëpunim në kryerjen e veprave penale.

SPAK dyshon se Gjyli ka qenë pjesë e komisioneve të vlerësimit të ofertave, ku kriteret e tenderimit janë ndërtuar në mënyrë të tillë që favorizonin kompani të paracaktuara. Hetimet tregojnë se oferta të tjera janë skualifikuar për arsye formale, ndërsa projektet janë miratuar me kosto të fryra dhe konkurrencë të kufizuar.

Prokuroria e Posaçme dyshon gjithashtu se veprimet e tij nuk kanë qenë të izoluara, por të koordinuara në kuadër të një zinxhiri vendimmarrës, ku roli i zyrtarëve teknikë ka qenë zbatimi i vendimeve të marra në nivele më të larta.

Akuzat ndaj Erald Elezit

Në dosjen për Belinda Ballukun, Erald Elezi përmendet si zyrtar me rol teknik dhe operacional në fazën e zbatimit të kontratave publike. Ai akuzohet për: shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, bashkëpunim në shkeljen e procedurave të prokurimit publik.

Sipas SPAK, Elezi dyshohet se ka hartuar dhe certifikuar dokumentacion teknik që nuk përputhej me realitetin e punimeve në terren. Ky dokumentacion është përdorur për të justifikuar pagesa shtesë, shtyrje afatesh dhe ndryshime kontraktuale pa bazë ligjore.

Hetimet tregojnë se roli i tij ka qenë kyç në mbulimin e shkeljeve të konstatuara gjatë zbatimit të projekteve, duke i dhënë atyre një formë të ligjshme përmes akteve administrative dhe raporteve teknike.


Shtuar 24.12.2025 15:02