Përplasje të forta në prokurorinë e Dibrës, mes drejtuesit të institucionit Abaz Muça dhe një prej prokurorëve.
Burimet bëjnë me dije se konflikti ka nisur pasi drejtuesi i prokurorisë ka kthyer me mënyrë të paligjshme një provë material (automjet) që i ishte sekuestruar një personi të dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, si përndjekja, kundërshtim i punonjësit të policisë dhe në fushën e narkotikëve
Kthimi i makinës është bërë sipas burimeve në kundërshtim me ligjin, pasi prokurori i çështjes Urim Kalia ka urdhëruar që prova materiale të mos kthehej pasi çështja ndodhej në proces gjykimi. Por drejtuesi i institucionit ka urdhëruar verbalisht policinë për ta kryer një veprim të tillë.
Prokurori i çështjes Kalia ka nisur hetimet duke sekuestruar pamjet filmike, hyrje-daljet e mjetit nga komisariati i policisë. Pas marrjes dijeni për fillimin e hetimeve, policia e urdhëruar nga drejtuesi i prokurorisë ka kthyer përsëri mjetin në komisariat.
Pas administrimit të dëshmive të oficerëve, të cilët kanë deklaruar se janë urdhëruar nga drejtuesi i prokurorisë për të kryer një veprim të tillë, prokurori i çështjes ka regjistruar procedim penal për drejtuesin e prokurorisë dhe oficerët e komisariatit të policisë Dibër.
Burimet thonë se pasi drejtuesi i prokurorisë ka marrë dijeni për nisjen e hetimit, ka urdhëruar sekretarinë e prokurorisë që prokurorit të mos i kryhet asnjë shërbim për protokollimin e shkresave. Kjo ka detyruar prokurorin e çështjes që ta nisë pa shkrese përcjellëse dhe pa numër protokolli procedimin për kompetencë në Prokurorinë e Kukësit.
Burime pranë prokurorisë së Kukësit thanë se çështja është në fazë shqyrtimi dhe prokurorja e çështjes do të vendosë për fatin e saj brenda afatit ligjor, duke pranuar kësisoj se e ka marrë çështjen për kompetencë./VNA/
