Varfëria në Shqipëri/ 42% e popullsisë në rrezik, por tkurren shpenzimet për ndihmën ekonomike

Teksa Shqipëria ka zyrtarisht 42% të popullsisë në rrezik të varfërisë, shpenzimet për ndihmën ekonomike në raport me PBB-në në këto vitet e fundit, kanë ardhur në rënie.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se shpenzimet buxhetore për ndihmën ekonomike në Shqipëri në raport me PBB-në kanë një tendencë tkurrjeje.

Në vitin 2024, fondet për shpenzimet për ndihmën ekonomike arritën vetëm 1,1% e PBB-së, dukshëm më pak se 1.6% në vitin 2014.

Rënia e vazhdueshme e shpenzimeve buxhetore në raport me PBB-në për shtresat në nevojë vjen në një kohë kur kostot e jetesës, të tilla si çmimet e ushqimeve, qirasë, transportit etj., janë rritur ndjeshëm, duke goditur më fort shtresat në nevojë.

Në fillim të viteve 90, mbështetja ekonomike zinte një peshë relativisht të lartë në PBB, duke arritur kulmin në vitin 1995 me 1.7% të PBB-së.

Kjo ishte një periudhë kur Shqipëria po përjetonte tronditje të thella ekonomike pas rënies së sistemit komunist. Në këtë kontekst, roli i ndihmës ekonomike si instrument i stabilitetit social ishte jetik.

Të dhënat tregojnë se pas vitit 2014, fillon një fazë rënieje e vazhdueshme e ndihmës ekonomike në raport me PBB-në, por nga ana tjetër, Shqipëria është vendim me nivelin më të lartë të varfërisë relative në Rajon dhe Europë me të dhëna të Bankës Botërore dhe Eurostat.

Ndërkohë që vendi ka përjetuar rritje ekonomike, rënia progresive e përqindjes së ndihmës ekonomike në raport me PBB-në ngre shqetësime për rolin e mbrojtjes sociale në politikat publike, të cilat janë vënë në dukje edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Shqipëria ka nivelet më të ulëta në Rajon të ndihmës ekonomike. Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë pandemisë COVID-19 dhe pas saj rritën shpenzimet sociale, duke përfshirë transferta direkte, subvencione për faturat e energjisë, apo skema për ndihmë për ushqim dhe ngrohje.

Shqipëria jep ndihme ekonomike për rreth 62 mijë familje, por sasia e ndihmës është shumë poshtë minimumit jetik (6.85 USD në ditë) për person.

Por nëse qeveria shqiptare synon të përmbushë objektivat e integrimit në BE, rritja e shpenzimeve për ndihmën ekonomike është një nga kriteret kryesore në grupin e reformave ekonomike për të bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse./MONITOR

 


Shtuar 28.05.2025 09:49