E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, deklaroi se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve mbetet një prioritet kyç për SHBA-në.
Deklarata e saj u bë gjatë fjalimit të saj në përfundim të trajnimit të FBI-së për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve, ku të pranishëm ishin edhe kreu i SPAK dhe ai i BKH.
Në fjalën e saj diplomatja e lartë amerikane nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara, duke kujtuar thirrjen e Presidentit Donald Trump për eliminimin e plotë të krimit të organizuar ndërkombëtar.
“Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë”, u shpreh VanHorn.
VanHorn theksoi se këto grupe përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara dhe teknologji moderne, duke krijuar kërcënime serioze për sigurinë kombëtare.
“Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Sikurse e keni parë përmes këtij kursi, këto krime po mundësohen nga teknologjitë moderne”, tha VanHorn.
