Valë ndryshimesh në Komisariatet e Tiranës, largohen shefa dhe oficerë të krimeve dhe rrugores

Policia e Tiranës po kalon një valë të re ndryshimesh në strukturat e saj policore, me transferime dhe rotacione që kanë prekur drejtues të njësive kyçe dhe dhjetëra efektivë të policisë. Këto lëvizje, të cilat vijnë vetëm pak muaj pas ndryshimeve të mëdha në nivel kombëtar, kanë përfshirë kryesisht komisariatet e kryeqytetit dhe Policinë Rrugore të Tiranës.

Ndër ndryshimet më të rëndësishme janë ato që prekin sektorin e krimeve. Shefi i krimeve i Komisariatit Nr.5 është transferuar në komisariatin e Vorës, ndërsa shefi i krimeve të Vorës ka kaluar në postin që u lirua në Komisariatin Nr.5.

Edhe në Komisariatin Nr.1 është bërë një ndryshim në krye të sektorit të krimeve; shefi aktual është transferuar te Policia Rrugore e Tiranës, konkretisht në sektorin e aksidenteve.

Ndërkohë, në Policinë Rrugore të Tiranës është shënuar një seri e gjerë lëvizjesh: rreth 20 efektivë që mbulonin linjat dhe trafikun janë transferuar, së bashku me katër komandantë të trafikut dhe linjave.

Një nga emrat më të përfolur në këto ndryshime është Jetnor Shira, shefi i trafikut urban në Tiranë, i cili është larguar nga detyra, ndërsa në vend të tij është emëruar Megian Ademaj.

Përveç këtyre, janë bërë edhe disa transferime në nivelin e oficerëve të policisë gjyqësore (OPGJ) brenda Policisë Rrugore të Tiranës. Burime brenda institucionit bëjnë të ditur se ende nuk janë bërë publike arsyet dhe motivacionet pas këtyre ndryshimeve të shumta në policinë e kryeqytetit.

Kujtojmë se vetëm 7 muaj më parë u ndërmor një reformë e gjerë në Policinë e Shtetit, ku u emëruan 12 drejtues të rinj të qarqeve dhe 48 shefa komisariatesh në të gjithë vendin.


Shtuar 29.05.2025 16:46