Vajza e vogël kërkon lëmoshë, kamerieri e nxjerr jashtë lokalit me forcë, Ministri: Isha i përqendruar në bisedë

Një vogëlushe e komunitetit rom ka trazuar kafenë e të ministrit të Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci.

Në një video të publikuar nga deputeti Veton Berisha, njëherësh edhe kryetar i PLE-së, shihet vajza e vogël që futet në një lokal ku ishte Peci dhe shkon drejt tryezës së tij.

Pa e ditur aspak se bëhej fjalë për një ministër, ajo kërkon lëmoshë, njësoj siç do të bënte para çdokujt, por kamerieri i bën shenjë të largohet. Pasi e vogla nuk bindet, kamerieri e ngre në krahë nga rrobat dhe e nxjerr jashtë.

Ajo që bën përshtypje është se ministri Peci vijon i qetë bisedën në kafene dhe nuk bën asnjë lloj reagimi.

Disa orë pasi pamjet janë bërë virale, ministri ka bërë një reagim në rrjetet sociale dhe shkruan se ka qenë i përqëndruar në bisedë e nuk ka pasur aspak për qëllim të tregohet indiferent ndaj vajzës. Ai shton se ky rast nuk mund të zbehë sukseset e ministrisë të cilë ai drejton, duke theksuar se rivalët politikë e kanë të vështirë të gjejnë skandale dhe merren me këto sulme.

Reagimi i Pecit:

Së pari, distancohem nga secili akt që përcjellë dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti. Së dyti, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheq, si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej “veprime skandaloze”. I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm tek bashkë-biseduesi e jo tek i gjithë lokali. Kete pamje per here te pare e pashe ne rrjete sociale e ne media. Nga ana tjetër, unë nuk jam përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit; ku ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht. Siç rëndom ndodh, së fundmi të koordinuar mirë në sulm ishin edhe disa “Rugovista” të Hashimit. Mirëpo kjo nuk do ta ndalë luftën time kundër krimit e korrupsionit sepse do të vazhdoj të punoj për shtet ligjor e dinjitoz. 62 milionë euro këtë vit nuk shkuan në xhepat e atyre që blinin xhipa të zinj por tek bujqit e vërtetë të Kosovës e kjo siç shihet po iu pengon disave ashtu siç po iu pengojnë 26 milionë euro të projekteve të granteve që nuk shkuan tek shokët e tyre apo edhe denoncimi i keqpërdorimeve të shumta me pronat e Ministrisë së Bujqësisë.

Përkrahja per komunitetet jo-shumicë nga Qeveria e tanishme është më e madhe se asnjëherë, ndërsa dita-ditës, organet e rendit bëjnë përpjekje t’i luftojnë dukuritë negative, përfshirë edhe nevojën e fëmijëve për kërkimlëmoshë. Është detyrë e institucioneve të largojnë nevojën e kërkim-lëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale me theks në mbrojtjen e kategorive më të pambrojtura. Modeli i politikanëve dhe “biznesmenëve” oriental e lindorë sikur duan që t’i shohin ministrat duke ndarë publikisht lëmoshë. E nëse përveç edukatës familjare ka diçka që na ka bindur se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rastet e njerëzve në nevojë, është modeli i politikbërjes së Behxhet Pacollit përmes kinse fondacionit të tij. Politikanit të Kremlinit dhe atyre të financuar nga burimet të ngjajshme i them që nuk do të kenë rast të zbulojnë “skandale” nga pozita që e ushtroj me shumë përgjegjësi, ndaj i mbeten të kujdestarojnë nëse unë do të jem aksidentalisht pjesë e ambienteve ku abuzohet me të tjerë, në këtë rast një fëmijë. Edhe në këtë rast, nëse mediat duan t’iu përngjajnë mediave profesionale do të duhej të kujdeseshin për mbulimin e fytyrës fëmijës që publikohet në video. Kjo vetëm e shpërfaqë para opinionit fytyrën e vërtetë të misionit të këtyre “mediave”, fytyrë të cilën ne që jemi pjesë e jetës publike ka kohë që e njohim.

 


Shtuar 25.12.2022 20:44