Ish-zëvendësministrëja Megi Fino është zgjedhur kryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Vajza e socialistit të mirë, intelektualit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Bashkim Fino ka hedhur një hap tjetër në karrierën e saj publike.
Ajo është votuar dhe prezantuar dje përpara anëtarëve të Këshillit Bashkiak, duke zëvendësuar në këtë pozicion Romina Kukon, e cila u zgjodh deputete më 11 Maj. Ndërkohë, zëvendës i saj do të jetë Endrit Braimllari, i cili i bashkohet radhëve të PS nga ish-LSI.
Megi Fino ka shkruar një emsazh falenderimi dhe kjo detyrë e re është për të një sfidë, përgjegjësi dhe një moment i veçantë reflektimi për të bërë më të mirën për qytetarët e Tiranës.
“Zgjedhja në krye të Këshillit Bashkiak të Tiranës për mua është sfidë, përgjegjësi dhe një moment i veçantë reflektimi për të bërë më të mirën për qytetarët. I jam mirënjohëse çdo këshilltari që me votën e tij më besoi këtë detyrë, që shkon përtej pozicionit zyrtar.
Sepse mbi të gjitha jam qytetare e Tiranës evropiane do punoj si e tillë, përballë çdo vështirësie e pengese. Shumë suksese dhe urime Endrit Braimllari për zgjedhjen si nënkryetar i Këshillit Bashkiak dhe falenderuese për gjithë kontributin dhe punën e deritanishme të Romina Kuko.
Bashkëpunimi, ekuilibri dhe respekti për njerëzit e punës janë parimet në jetën time profesionale, tek të cilat do mbështetem fort edhe në këtë mision të ri që mu besua”, shkruan Megi Fino, teksa ndan disa fotografi zyrtare nga ceremonia.