Nga; Emirjon Senja
Entuziazmi për përdorimin e algoritmeve për të parashikuar sjelljen e qytetarëve me qëllim parandalimin e ngjarjeve devijante, si edhe në procesin e shpërndarjes së përmbajtjes në rrjetet sociale tashmë ka përfunduar.
Koha tregoi se në shumë raste, gjatë përdorimit për këto qëllime, algoritmet dështuan duke treguar elementë të theksuar profilizimi shoqëror deri edhe racizmi, ndërkohë që sa i përket rrjeteve sociale, është vërtetuar tashmë që ato favorizojnë partizanizmin në vend të përplasjes së shëndetshme të ideve, duke polarizuar shoqërite përmes përforcimit të paragjykimeve.
Algoritmet dhe AI si nxitës të polarizimit në diskursin publik
Gjatë konsumit të përmbajtjes në rrjetet sociale, nuk jemi ne që përzgjedhim se çfarë do të shohim në ekranin e telefonit apo kompjuterit tonë, por janë algoritmet ato që vendosin se çfarë do të na shfaqin në varësi të sjelljes sonë online, si edhe mënyrës se si është programuar algoritmit i rrjetit social ku jemi, duke patur një rol të rendësishëm në formësimin e mënyrës se si përdoruesit e perceptojnë realitetin.
Të programuar për të rritur ndërveprimin e përdoruesve dhe për t’i mbajtur ata sa më gjatë në platformë, qasje nëpërmjet së cilës përcaktojnë edhe rrjedhën e informacionit në rrjetet sociale, algoritmet kanë krijuar një ekosistem të fragmentarizuar dhe të polarizuar të diskursit online.
Rrjetet sociale si META; X; Youtube, TikTok i kanë programuar algoritmet e tyre me qëllim personalizimin e përmbajtjes që i shfaqin përdoruesve, e cila bazohet në sjelljen e tyre të mëparshme online, si edhe rrethit të ndjekësve apo të të ndjekurve në platformë, me qëllim final mbajtjen e audiencës së më gjatë aty dhe rritjen e angazhimit.
Studime të ndryshme kanë konfirmuar se ky model ushqen një cikël, ku përdoruesit ekspozohen në mënyrë të vazhdueshme ndaj përmbajtjeve që përforcojnë bindjet e tyre, për shkak të ndërveprimit me të njëjtën permbajtje, duke i kufizuar ata ndaj perspektivave të tjera.
Si pasojë e kësaj, formohen ato që ekspertët e fushës i quajnë “dhoma jehone” si edhe “flluska informacioni”, ku përdoruesi “bombardohet” me të njëjtin informacion, fenomen që nxit radikalizimin e diskursit dhe ndarjet e thelluara të qendrimeve në shoqëri.
Në një kontekst global me tensione sociale, politike, si edhe konflikte të armatosura në rajone të ndryshme, mënyra se si funksionojnë algoritmet e rrjeteve sociale, në vend që të ndihmojë në ofrimin e mendimit alternativ, po përforcon edhe më tepër idetë fillestare të përdoruesve duke i çuar qendrimet e tyre edhe më tepër drejt ekstremeve.
Rrjedhimisht, sot, rrjetet sociale nuk po bashkojnë, por po ndajnë edhe më tepër shoqëritë nëpër ishuj bindjesh, ku çdokush aty e gjen veten të privuar nga ide të tjera.
Studimi i Koo, G. H., Johnson, T. J., Santillana, M., & Jeon, G[1]. mbi toksicitetin e pjesëmarrjes politike online evidenton sesi ndërveprimi i algoritmeve me sjelljet emocionale dhe politike të përdoruesve përforcon qendrimet e kundërta.
Në këtë kuadër, platforma e Inteligjencës Artificiale, e përdorur për personalizimin e përmbajtes dhe promovimin e saj ka treguar se nuk është neutrale.
Përkundrazi, AI mëson automatikisht dhe më pas promovon modelet e sjelljes, të konsideruara të suksseshme në drejtim të rritjes së ndërveprimit në rrjetet sociale.
Rrjetet sociale të përmbytura nga përmbajtjet AI
Shtimi i platformave të Inteligjencës Artificiale për prodhimin e videove; ulja e kostos së abonimit për shkak të konkurrencës së fortë në këtë sektor, si edhe mësimi i “makinës” me gjuhën shqipe po i përball përdoruesit e rrjeteve sociale me rrezikun e madh të përceptimit të një realiteti të rrejshëm në rrjetet sociale.
Gjatë muajve të fundit, edhe përdoruesit shqiptarë të rrjeteve sociale janë duke ndërvepruar çdo ditë e më tepër me përmbatje video të prodhuara me AI.
Ato janë pa shënimet përkatëse nga publikuesit, të cilat për shkak të natyrës së tyre provokuese, pasi ofrohen si intervista Vox Pop, si përgjigje të natyrshme të qytetarëve, janë duke prodhuar numër të madh ndërveprimesh.
Një kombinim i fuqisë algoritmeve për të targetuar përdoruesit në mënyrë efektive në shërbim të rritjes së ndërveprimeve, si edhe përmbajtjes lehtësisht të ngatërrueshme me realitetin të prodhuar nga Inteligjenca Artificiale, është kthyer në një rrezik të madh për përdoruesit e rrjeteve sociale.
Sipas të dhënave të publikuara nga Smart Insights[2] në shkurt 2025, një video gjeneron 5 herë më shumë ndërveprime krahasuar me përmbajtjet e tjera të publikuara në rrjetet sociale për shkak të natyrës së saj dinamike.
Një tjetër studim[3] pasqyron se përdoruesit harxhojnë mesatarisht 100 minuta në ditë duke parë video në internet, gjë që konfirmon dominancën e formatit video kundrejt të tjerëve.
Të dhënat tregojnë se në platforma si Facebook dhe Youtube, mosha mesatare e përdoruesve në Shqipëri rritet nga viti në vit, ndërsa situata bëhet edhe më problematike në kushtet e një niveli të ulët të edukimit mediatik në një shoqëri si e jona.
Ndikimi i AI në personalizimin e përmbajtjes dhe nxitjen e radikalizmit online
Pavarësisht se qëllimin e kanë të njëjtë, pra rritjen e angazhimit, rrjetet sociale aplikojnë praktika të ndryshme targetimi, të cilat në thelb prodhojnë një informacion të personalizuar në “wallin” e çdo përdoruesi.
Personalizimi i informacionit është tani praktikë standarde e platformave të rrjeteve sociale, duke u krijuar përdoruesve një realitet informacioni të fragmentarizuar për shkak të mungesës së ideve alternative.
Një studim i Zyrës Kërkimore të Parlamentit Europian në vitin 202[4] 4 thekson se personalizimi algoritmik ndikon drejtpërdrejt në mënyrën sesi individët konsumojnë informacionin politik, duke rritur ndjeshëm rrezikun për keqinformimin e tyre dhe përhapjen e teorive konspirative.
Kapacitetet e larta të përpunimit të të dhënave nga Inteligjenca Artificiale fragmentarizojnë edhe më tepër informacionin për përdoruesit.
Kjo vërehet edhe në mënyrën se si algoritmet e META dhe TikTok për shembull shpërndajnë informacionin në platforma.
Algoritmet e META-s e shpërndajnë informacionin duke u bazuar në lidhjet dhe kontaktet e përdoruesit në Facebook apo Instagram, duke besuar se njerëzit ndërveprojnë më shumë me përmbajtje të shpërndarë nga ata që i njohin apo u besojnë, ndërkohë TikTok përdor një praktike krejt tjetër.
TikTok bazohet jo te lidhjet shoqërore, por te interesi i audiencës mbi tematikën e përmbajtjes. Kështu, algoritmet e TikTok mund të shfaqin përmbajtje edhe nga profile të konsideruara të “huaja”, por që përputhen me tematikën që përdoruesi ka shfaqur interes gjatë lundrimit të tij në internet.
Të dyja praktikat çojnë drejt një izolimi informativ të përdoruesit edhe pse në rastin e TikTok, për vetë mënyrën se si veprojnë algoritmet e tij, rreziku është më i madh.
Është koha për reformimin e algoritmeve
Mënyra se si po prodhohet në një pjesë të mirë të rasteve me Inteligjencën Artificiale dhe se si po shpërndahet përmbajtja online përmes algoritmeve gjithnjë e më të fuqishëm, bën të domosdoshëm rishikimin e modelit që po përdoret nga platformat e rrjeteve për të targetuar audiencën.
Studiues të ndryshëm të fushës sugjerojnë reformim thelbësor të qasjes në radhë të parë dhe më pas të mënyrës së si sillen algoritmet gjatë procesit të shpërndarjes së përmbajtjes në rrjetet sociale.
Një nga qasjet më të përfolura është ajo e dy profesorëve të Universitetit të Oksfordit Sandra Wachter and Dr Brent Mittelstadt[5], të cilët sugjerojnë zhvillimin e algoritmeve të “shpërndarjes së barabartë” që ofrojnë balancë ideologjike në përmbajtje, duke i ekspozuar përdoruesit edhe ndaj këndvështrimeve të kundërta. Ata e quajnë këtë “drejtësi algoritmike në përputhje me të drejtat e njeriut”.
Propozohet që sistemet algoritmike që shërbejnë për shpërndarjen e përmbajtjes të mos konsiderojnë efikasitet të lartë vetëm ndërveprimin, por gjatë këtij procesi, të marrin në konsiderate lirinë e shprehjes, barazinë në qasje në informacion dhe mbi të gjitha: Të drejtë fjale për të gjithë.
Ata sugjerojnë një certifikim të algoritmeve dhe platformave AI nga institucione të pavarura para futjes së tyre në përdorim. Një sugjerim të ngjashëm bëri edhe Yuval Noah Harari në 2023[6].
Po ashtu, sugjerohet implementimi i mekanizmave të transparencës mbi mënyrën se si funksionojnë algoritmet.
Roli i Inteligjencës Artificiale në këtë kontekst të ri mund të shndërrohet nga përforcues i polarizimit në shoqëri, në promovues të dialogut dhe përplasjes së mendimeve të ndryshme në një platformë, e cila tashmë sillet “ndershëm” me përdoruesit. Kjo mund të ndodhë nëse vetë algoritmet, por edhe AI trajnohet mbi parimet e diversitetit të mendimeve dhe të stabilitetit social.
Për shembull, në vend që të nxisin qendrimet ekstreme, të cilat sjellin më shumë ndërveprime, AI të mund të identifikojë dhe promovojë përmbajtje, të cilat nxisin kohezionin social dhe dialogun konstruktiv duke nxjerrë në pah zëra të margjinalizuar në diskursin publik. Narrativa do të ishte krejtësisht ndryshe.
Një model tjetër i sugjeruar është ai i “diversitetit të ekspozimit”[7], i cili bazohet në parimin që përdoruesve t’u shfaqen në mënyrë të qëllimshme përmbajtje me këndvështrime të ndryshme nga ato të tyret.
Studiues të tjerë[8] shkojnë edhe më tej duke sugjeruar një model të transparencës algoritmike, i rregulluar përmes institucioneve të pavarura bazuar mbi argumentin se platformat nuk mund të vetërregullohen dhe se nevojitet mbikëqyrje publike që të sigurojë që mekanizmat e shpërndarjes nuk promovojnë ekstremizmin.
Qendrimet e tyre vijnë në një kontekst problematik për mënyrën se si funksionojnë sot algoritmet të përforcuara nga kapacitetet e mëdha përpunuese të AI, megjithatë bien ndesh me një qasje të përgjithshme në sektorin e teknologjisë së informacionit, i cili bazohet më shumë, ose preferon, vetërregullimin.
Në thelb, nevoja për të rikonceptuar mënyrën se si algoritmet orientojnë shpërndarjen e informacionit në platformat e rrjeteve sociale të udhëhequra nga Inteligjenca Artificiale nuk shihet më vetëm si një çështje etike apo teknike, por një domosdoshmëri shoqërore në mbrojtje të demokracisë dhe kohezionit social.
Megjithatë, domosdoshmëria për të rishikuar algoritmet që shprehin ekspertët e fushës bie ndesh me modelin e biznesit të platformave të rrjeteve sociale, i cili në vetvete ka prodhuar logjikën se si veprojnë algoritmet, të cilët efektivitetin e masin e numrin e lartë të ndërveprimeve në platformë.
Eksperienca e deritanishme ka treguar se ndërveprimet më të mëdha i shkaktojnë përmbajtjet polarizuese.
Ky është momenti ku ose shoqëritë do të ndryshojnë algorimet, ose këto të fundit do të marrin tërësisht nën kontroll diskursin publik duke i ndryshuar përfundimisht shoqëritë.