Universiteti i Elbasanit, ka hyrë në procesin zgjedhor për Rektorin e ri të këtij institucioni. Por ende pa nisur gara me kandidatët e mundshëm, ka nisur “gjuetia e shtrigave” për ata që pretendojnë të jenë pjesë e saj.
Po çfarë ka ndodhur realisht?
Ajo ç’ka po ndodh në këtë Universitet, që ka shqetësuar opinionin akademik dhe intelektual të qytetit, lidhet me pengesat për të shmangur nga gara për postin e Rektorit të këtij Universiteti, Profesoreshën Majlinda Perriu Peza, duke mos e miratuar si Kandidate me një vendim të paligjshëm të KIZ(Komisioni Institucional Zgjedhor) të këtij universiteti.
Shkelja e parë: KIZ, ka tejkaluar kompetencat duke dhënë vendime në shkelje të Ligjit të Arsimit të Lartë, Rregullores Zgjedhore të Universitetit(Kreu II, neni 6/g) ku citohet se “KIZ regjistron kandidatët për rektor…”, dhe jo gjykon kandidatët, duke marrë rolin e gjykatës duke interpretuar edhe ligjet për institucionet e tjera jo universitare.
Kështu, me vendim Nr. 12 të datës 26.05.2024 KIZ , ka vendosur të mosmiratojë regjistrimin e kandidaturës për të marrë pjesë në zgjedhjet për postin e Rektorit, të profesoreshës me një karrierë 25 vjeçare në fushën e arsimit Majlinda Perriu, pavarësisht përmbushjes nga ana e saj të të gjithë dokumentacionit të përcaktuar në Ligjin e Arsimit të Lartë, Rregulloren e zgjedhjeve dhe Statutin e Universitetit.
Shkelja flagrante: Në këtë vendim të KIZ thuhet se; aktualisht kandidatja ushtron detyrën e Prefektit të Qarkut, ndërkohë që është lehtësisht e vërtetueshme se me Vendim të Këshillit të Ministrave, znj. Majlinda Perriu është liruar nga ky pozicion më dt. 24.05.2024, VKM Nr. 314, pra 2 ditë përpara se të merrej vendimi i KIZ i datës 26 maj.
Pas kësaj është ndjekur hapi i radhës në Komisionin e apelimit, i cili brenda 5 ditëve nga data e ankimimit duhej të dilte me një vendim të formës së prerë (dt. 03.06.2024). Ndërkohë që, gjatë këtyre ditëve jo vetëm që nuk janë njoftuar anëtarët e komisionit për mbledhje dhe nuk është marrë asnjë vendim në shkelje të hapur rregullores, por mësohet se nga rektorati janë njoftuar anëtarët e Senatit Akademik për “shpalljen e procesit të regjistrimit për anëtar të ri të Komisionit të Apelimit”, me arsyen se kryetari i komisionit po në këtë datë paska dhënë dorëheqjen. Në këtë mënyrë, Komisioni Apelimit është inekzistent. Ndërkohë edhe një anëtar tjetër i Komisionit ka dhënë dorëheqjen.
Pra aktualisht, procesi zgjedhor në Universitetin e Elbasanit ka dështuar, KIZ rezulton në shkelje flagrante të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Ligjit të Arsimit të Lartë dhe rregullores zgjedhore, ndërsa Komisioni i Apelimit që shqyrton vendimet flagrante të KIZ, tashmë është jashtë funksionit dhe nuk mund të marrë vendime.
Është gjetur një mënyrë për të zvarritur procesin e dhënies së vendimit ndaj shkeljes së bërë nga KIZ për mos regjistrimin në postin e Rektorit të profesoreshës Majlinda Perriu. Procedura për rikrijimin e Komisionit të Apelimit kërkon kohë, por dokumentet më poshtë vërtetojnë atë çfarë po ndodh akualisht dhe përse nuk mund të përjashtohet nga gara zonja Perriu.