UNICEF ngre alarmin: Mund të vdesin 1 milionë fëmijë afganë!

Unicef ngre alarmin për vdekjen e shumë fëmijëve afganë, pas krizës që po kalon vendi pas marrjes së kontrollit nga talebanët.

Rreth 1 milion fëmijë afganë parashikohet të vuajnë nga kequshqyerja akute gjatë këtij viti dhe mund të vdesin pa trajtim, paralajmëroi OKB -ja.

Në një deklaratë të saj, Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF, Henrietta Fore tha se rreth 10 milionë fëmijë në të gjithë Afganistanin kanë nevojë për ndihmë humanitare për të mbijetuar.

Ajo shtoi se rreth 4.2 milion fëmijë në Afganistan nuk po shkojnë në shkollë, përfshirë më shumë se 2.2 milion vajza. Deklarata sqaroi se afërsisht 435,000 fëmijë dhe gra në vendin e shkatërruar nga lufta, ku talebanët kanë marrë pushtetin, janë të zhvendosur brenda vendit. “Ky është realiteti i zymtë me të cilin përballen fëmijët afganë dhe mbetet i tillë pavarësisht nga zhvillimet e vazhdueshme politike dhe ndryshimet në qeveri”, u shpreh Fore.

“Ne parashikojmë që nevojat humanitare të fëmijëve dhe grave do të rriten gjatë muajve të ardhshëm në mesin e një thatësire të ashpër dhe mungesës së vazhdueshme të ujit, pasojave shkatërruese socio-ekonomike të pandemisë Covid 19 dhe fillimit të dimrit”, shtoi ajo.

Duke i nxitur talebanët dhe palët e tjera që të garantojnë sigurinë, agjencia e Kombeve të Bashkuara përgjegjëse për ndihmën humanitare e zhvillimore për fëmijët në mbarë botën, bëri thirrje për një “qasje në kohë dhe të pakufizuar me qëllimin të mbërrihet tek fëmijët në nevojë kudo që janë”. Edhe pse shumë njerëz kanë frikë nga ndëshkimi dhe po përpiqen të largohen nga vendi, talebanët deri tani kanë garantuar sigurinë e misioneve të huaja, organizatave ndërkombëtare dhe agjencive të ndihmës./albeu.com


Shtuar 25.08.2021 14:53