Pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama, për ndryshime në nivelet drejtuese të pushtetit vendor, kanë nisur dorëheqjet e para në juglindje të vendit.
Burime për “A2 CNN”, bëjnë me dije se të gjithë administratorët e bashkisë së Korçës, në total 7, si dhe 3 administratorë të bashkisë së Kolonjës, kanë paraqitur dorëheqjen pranë kryetarëve të tyre përkatës, Sotiraq Filo dhe Erion Isai.
Të kontaktuar nga media, dy kryebashkiakët konfirmuan dorëheqjet e administratorëve, por theksuan se nuk do të ketë lëvizje në pozicionet e zëvendëskryetarëve të bashkive.
Ndërkohë, në tre bashki të tjera të qarkut – Pogradec, Maliq dhe Devoll, një proces i tillë nuk ka nisur ende.
Përfaqësues të këtyre institucioneve, deklaruan se aktualisht po zhvillohet një proces vlerësimi për të shqyrtuar zbatimin e kuadrit ligjor që lidhet me kërkesën për riformatim të drejtuesve vendorë.
Deri në këtë moment, asnjë zëvendëskryetar bashkie në zonën jug-lindore nuk është shkarkuar apo dorëhequr.
Burime të afërta me zhvillimet bëjnë me dije se në ditët në vijim pritet një vizitë e kryeministrit Rama në qarkun e Korçës.