Ultimatum Bayernit e Dortmundit, 30 ditë për të pranuar SuperLigën

Teksa ka një luftë mes UEFA-s, FIFA-s në njërën anë dhe SuperLigës në anën tjetër, ka edhe një betejë brenda vetë klubeve elitare që formuan kompeticionin e ri.

“Der Spiegel” ka zbuluar një dokument ku Këshilli Administrativ i SuperLigës i ka bërë kërkesë Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund për të pranuar anëtarësimin në 15-shen e themeluesve, pra anëtarë të përhershëm teksa këto ditë drejtuesit gjermanë janë distancuar.

Rummenigge dhe Watzke kanë deklaruar se nuk do të pranojnë një impenjim të tillë edhe pse Florentino Perez pohoi se nuk ka patur ftesë për ta por “Der Spiegel” e zbulon krejt ndryshe të vërtetën. Sipas kërkesës që i është bërë dy klubeve gjermane, ato kanë 30 ditë kohë për të vendosur nëse do të pranojnë të futen në SuperLigë apo jo dhe duhet të përgjigjen në kohën e duhur.

Një kërkesë e tillë shihet si një ultimatum për dy klubet elitare të Bundesligës të cilët do të duhet të zgjedhin anën e tyre ku për momentin janë në anën e UEFA-s dhe FIFA-s por koha për ta nuk premton gjatë. Po sipas “Der Spiegel” edhe për Paris Saint Germain ka një kërkesë të tillë nga Këshilli Administrativ i SuperLigës i cili i ka dhënë 14 ditë kohë francezëve për të dhënë një përgjigje përfundimtare.


Shtuar 20.04.2021 20:30