Ulen aksidentet në janar por sjellja e shoferëve mbetet problemi kryesor

Aksidentet janë ulur me 14.4 për qind në janar të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Instituti i Statistikave raporton se në muajin e kaluar u numëruan në total 107 aksidente rrugore nga 125 aksidente që ndodhën në janar 2021.

“Në muajin Janar 2022, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 147 persona nga 165 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë. Në muajin Janar 2022, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 16 persona, nga 22 persona të vdekur në Janar 2021”, thuhet në raportin e INSTAT.

Shkak për aksidentet ashtu sikurse është tendenca historike është bërë sjellja e shoferëve në timon.

Kështu sipas shifrave në muajin Janar 2022, aksidentet rrugore, në 81,3% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Por cilët janë në fakt grupmoshat më të “rrezikshme” në drejtimin e mjetit?

INSTAT vlerëson se numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 29,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Pavarësisht kësaj situate shifrat tregojnë për një ulje të aksidenteve nga kjo grupmoshë në raport me një vit më parë.

“Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 11,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, nënvizon INSTAT./Monitor


Shtuar 18.02.2022 12:50