“Ul qepenin!” Sëmundja i mori jetën parakohe, zbardhet intervista e fundit e ish-deputetes socialiste

“Të përballesh me sëmundjen atëhere kur mendon se je njeriu më i lumtur, më i plotësuar, madje më i paprekshëm nga e keqja. Ta sfidosh sëmundjen, ta flakësh tutje dhe t’i tregosh asaj se forca e shpirtit është mbi gjithcka”.

Kështu shprehej ish-deputetja e ndjerë socialiste Edlira Haxhiymeri, në intervistën e saj të fundit të realizuar në vitin 2018 për themeluesen e Albanian Exelence, Flora Nikolla.

Pedagogia Haxhiymeri ndërroi jetë në moshën 62-vjeçare pas pesë vitesh luftë me sëmundjen e rëndë.

“Kjo është një intervistë që kam realizuar në Vitin 2018 me Edën tonë të dashur, Kur Albanian Excellence shpalli histori suksesi të lindurit në vitet 60 të! Kur pashë titullin e intervistës, mbas kërkimit në arshivë, “Pranvera plot lule e Edlira Haxhiymeri”, u drodha …  Mendova me zë : po e vertetë, Lulet për Eden do të jene gjithnjë të freskëta”, kështu e kujton Nikolla intervistën me Haxhiymerin.

Intervista e plotë:

Pranvera plot lule e Edlira Haxhiymeri Nga Flora Nikolla.

Edlira Haxhiymeri, është një njeri aktiv, plot energji, e mbushur me dashuri për njerëzit dhe me plot dëshira e qëllime të mira. Nuk lodhet kurrë. Bie gjithnjë në këmbë. Edhe rënien e fundit, beson se të tillë e ka bërë. I pëlqen vetja ashtu si e njeh ajo: një grua e plotësuar që nuk lodhet së punuari e së bëri gjërat që i ka  përzemër. Fuqinë e ka të lidhur me personalitetin. Ka besuar dhe vlerësuar atë që ka dhe është. Është mësuar të vlerësojë arritjet e  saj dhe kjo i ka dhënë fuqi. Nuk e di se cfarë fuqie do të deshte  të kishte, mbase fuqinë për të bërë ndryshime të qënësishme përtej vetes së saj.

F.N:Cila je realisht? Do të ishte mirë të tregoje, nga je, çfarë bën , por veç këtyre, a  mund të tregosh thelbin e vërtetë të qënies tënde…?

E.H:Unë jam Edlira, nga Tirana, profesore në Universitetin e Tiranës, grua, nënë, bijë, motër dhe mike e kolege me shumë prej jush dhe jo vetëm.  Jam një njeri aktiv, plot energji, e mbushur me dashuri për njerëzit dhe me plot dëshira e qëllime të mira. Nuk lodhem kurrë. Bie gjithnjë në këmbë. Edhe rënien e fundit, besoj të tillë e kam bërë.

F.N: E ke menduar ditën e lindjes sipas perceptimit tënd, apo ke mbetur tek tregimi i njerëzve të afërt?

E.H:Jam përpjekur t’i bashkoj të dyja. Përshkrimin e nënës sime si një ditë pranvere plot diell e lule, dhe perceptimin tim si një ditë kur kësulkuqja kishte hapur dyert e shtëpisë për t’u mbushur me ajër dhe për të hapur flatrat, gati për fluturim.

F.N: Në se do të shkruanit çdo gjë që të ka ndodhur deri më tani, beson se njerëzit do të donin ta lexonin ? Cili do të ishte tharmi që do t’i  detyronte ta lexonin ?

E.H: Nuk di a do të kisha mjaftueshëm material interesant dhe të vecantë, por nëse do ta bëja një gjë të tillë, unë besoj se njerëzit do të gjenin veten në përshkrimin e jetës sime, unë jam një prej jush.

F.N: Çfarë quan ti çmënduri ? A kujton ndonjërën prej tyre, e cila, pavarësisht etiketimit, ty vazhdon të duket normale ?

E.H: Besoj se brezi ynë nuk e ka patur fatin të jetojë kohën e cmendurirave. Cmenduritë përjetohen kryesisht në adoleshencë dhe adoleshenca jonë ka qenë e ndrydhur.

F.N: A ke ndonjë fjalë sekrete që e përdor në momentet e tua të vështira?

E.H:Ul qepenin! – është shprehja që më ndihmon të ruaj qetësinë edhe kur mjedisi përreth është furtunë.

F.N:Si do ta përshkruash veten tënde me tre mbiemra ?

E.H:E fortë, e vendosur dhe e dhëmbshur.

F.N:Beson se njeh veten mirë ?  Si e njeh ?

E.H:Besoj se e njoh. Jeta më ka dhënë shumë mundësi për ta njohur veten në të gjitha dimensionet. Më pëlqen vetja ashtu si e njoh unë. Jam grua e plotësuar që nuk lodhet së punuari e së bëri gjërat që i ka  për zemër.

F.N: Mund  të tregosh historinë më të bukur të jetës në 10 rreshta?

E.H: Momenti më i bukur i jetës mendoj ka qenë momenti kur solla në jetë djalin tim të vetëm. E qara e tij ishte zëri i jetës që më ngriti në këmbë për t’i dhuruar puthjen e parë. Ky moment i mbushur me puthje, të qara, dhimbje, dashuri, përkujdesje dhe përkushtim besoj se i dha ngjyrë gjithë jetës sime. Sytë e tij plot dritë, fytyra e ëmbël, buzët e vogla, duart që drejtoheshin drejt gjirit, koka që lëvizte në kërkim të aromës së nënës, ishin impulset e para të një marrëdhënie që u ndërtua në vite për ta mbushur jetën time e të familjes sonë. Të njëjtën kënaqësi më ka falur në cdo fazë të jetës, madje edhe sot që është burrë i rritur.

F.N:Po më të vështirën?

E.H:Të përballesh me sëmundjen atëhere kur mendon se je njeriu më i lumtur, më i plotësuar, madje më i paprekshëm nga e keqja. Ta sfidosh sëmundjen, ta flakësh tutje dhe t’i tregosh asaj se forca e shpirtit është mbi gjithcka.

F.N:Ke disa  hobby,  ti mendon se ke shkuar ti tek ato, apo kanë ardhur ata tek ty?

E.H: Po kam disa: udhëtimet, librat, lulet, punët e dorës, notin dhe shëtitjen në natyrë. Mendoj se kam shkuar dalëngadalë drejt tyre. Në kërkim të vetes, kam gjetur hobbet e mia.

F.N:Sa herë je ndjerë i tradhtuar ?  A e fal ti tradhtinë?

E.H:Shumë herë. Nga njerëz që ju kam falur mbështjetje, dashuri, vëmendje, kohë, besim etj. Tradhëtia e dikujt ndaj meje nuk është cështja ime. Ja lë Zotit në dorë të merret me to…

F.N:Tani, pas dekadash jetë !!!,  pse fëmijët shijojnë fëmijërinë ashtu si të rriturit  shijojnë rritjen ?

E.H: Cdo cikël i jetës ka lezetin e vet. Një i rritur nuk mund të shijojë fëmijërinë. Fëmijëria shijon në moshën e saj ashtu sikurse edhe fëmijët nuk mund të shijojnë moshën e rritur. Nuk munden. Prandaj ne themi shpesh: lërini fëmijët të shijojnë fëmijërinë e tyre. Nëse nuk e shijojnë në kohë, kurrë nuk do të ndihen të plotësuar. Një fazë e rëndësishme e jetës do t’u mungojë përjetësisht.

F.N:Si mund ta përcaktosh  brezin tënd, ke besuar tek ai, cilët kanë qenë kushtet që kanë ndikuar në formimin  e tij? A mund të quhet brez i humbur?

E.H:Brezi ynë ishte brezi i sfidës së madhe. Me formimin tonë para demokracisë, ne treguam se ishim të zotët të përshtateshim, të merrnin njohuri të reja, të sfidonim vështirësitë dhe t’ja dilnim të ndërtonim familje, profesion por edhe emër në Shqipëri dhe në botë. Kjo nuk është pak për një brez si i yni. Të qënit inteligjentë dhe energjik ndihmuan në këtë proces përshtatjeje dhe na mundësuan të quheshim brezi i sfidës së madhe dhe jo brez i humbur.

F.N: Çfarë  nuk duron tek të tjerët dhe si e kapërcen mosdurimin … ?

E.H:Gënjeshtrën nuk e duroj dot. Në të tilla momente përpiqem duke i thënë vetes: ul qepenin!

F.N:Mes njeriut më tërheqës, por dhe më të varfër, njeriut më të pasur, por dhe më të shëmtuar, cilin do të zgjidhje?

E.H:Njeriun tërheqës, pavarësisht varfërisë së tij. Një njeri i zoti mund ta kapërcejë gjithnjë varfërinë.

F.N:Cilat janë tre cilësitë që çmon tek një njeri ?

E.H:Mencuria, trimëria, besnikëria.

F.N:Si dhe cfarë është për ty është shtëpia jote  ? Cili është objekti më i çuditshëm që ke në dhomën tënde ?

E.H:Vendi i qetësisë, sigurisë dhe ngrohtësisë. Objek i cuditëshëm? Agjë që të cudit.

F.N:Cfarë vendi zë gënjeshtra në jetën tënde ? Në fakt kur gënjën ?

E.H: Nuk di të gënjej. Jam lehtësisht e lexueshme. Kur njerëzit me lodhin, gënjej.

F.N:Cili je ti në një bashkëbisedim  me një mik ?

E.H:Dëgjuesja e mire.

F.N:Çfarë është frika për ty ? Cilat janë frikërat më të mëdha që ke  dhe si i kontrollon ? Çfarë të frikëson ty në këtë botë ?

E.H: Përgjithësisht nuk kam frikë. Besoj se kam forcën brenda vetes për të përballuar të gjitha frikërat. I frikësohem vetëm të shëndruarit në njeriun që nuk dua të jem. Në jetë ka gjithnjë një njeri që jam, një që dua të jem dhe lufoj për të dhe njeriu që kam nuk dua të jem. Ky më tremb.

F.N:Si do ta komentoje,”Sa më  shumë kalojnë vitet, aq më inteligjentë më duken prindërit”?

E.H: Sipas modelit dhe vlerësimit të Mark Tëain, sa më shume rritemi aq më shumë vlerësojmë prindërit. Kjo ka të bëjë me fazat e moshimit. Kalimi në moshën e rritur (pra në rini dhe më pas) njeriu i afrohet normalitetit dhe largohet nga aventurat. Në këtë pikpamje fillon dhe vlerëson me shumë prindërit.

F.N:Cila është fuqia që ju ke ? Në fakt çfarë fuqie do të donit të kishe ?

E.H:Fuqinë time e kam lidhur gjithmonë me personalitetin. Kam besuar dhe vlerësuar atë që jam dhe kam. Jam mësuar të vlerësoj arritjet e mija. Kjo më ka dhënë fuqi. Nuk e di se cfarë fuqie do të desha të kisha, mbase fuqinë për të bërë ndryshime të qënësishme përtej vetes.

F.N:Në se do të merrje vesh se do të vdisje brenda një viti, si do ta organizoje jetën tënde ?

Paradoksalisht e kam bërë një gjë të tillë. Kam planifikuar të nxjerr E.H:nga duart 2-3 libra për studentë që i kam të pambyllur. Asgjë tjetër nuk do ndryshoja. Do vazhdoja ta jetoja cdo ditë me bukurinë dhe kënaqësinë që të jep dita që të fal Zoti!

F.N:Pse ke zgjedhur modele, apo personazhe në jetën tënde, çfarë të ka shtyrë ? Në se do të darkoje me të  për çfarë do ta pyesje  dhe si do të ishte sjellja juaj  ?

E.H:Në fakt unë nuk kam pasur një model të vetëm në jetën time. Jam përpjekur të modeloj nga shumë personazhe të jetës sime. Ato më kanë shërbyer për të ndërtuar një personalitet të suksesshëm, të fortë, sfidues. Si të kapërcej sfidën e rradhës. Sjellja ime, krejt e zakonshme. Një dëgjuese e mirë dhe një mike e kujdesshme.

F.N:Keni një proverb tuajin të preferuar,  po për cfarë ju shërben ?

E.H:“Bëj si bën një mirë dhe jo si bën një i keq”

“Krimbi tek plehu te con”

Janë dy shprehja që i kam dëgjuar shpesh nga gjyshet dhe i ruaj si vlera për të modeluar sjellje dhe qëndrime pozitive.

F.N:Thonë që kur të pëlqen puna që bën, cdo ditë ngjan si të ishte pushim…, a është e vërtetë ? Si dhe ku i organizon pushimet e tua  ideale ?

E.H:Në fakt, kjo është e vërtetë për mua. Nuk më ka lodhur kurrë puna. Madje shpesh bëjmë humor me koleget se edhe kur jam e sëmurë, në auditor harrohem. Pushimet e mia ideale, në det, si peshk dhe në mal si adhuruese e lartësive.

F.N:Cilat janë marrëdhëniet e tua me blerjet ?  Po nëse do mund të blesh vetëm një gjë, çfarë do të zgjidhje të blije ?

E.H:Hmmmmm. Me kalimin e viteve, shtoheshka oreksi. Më pëlqen të blej një gjë, por cilësore. Nuk blej sasira. Zgjedh shumë. Nuk jam blerëse e mirë se nuk vendos lehtë. Po kur blej. Blej. Më pëlqen të blej gjëra që i rezistojnë kohës.

F.N:Po raportet tuaja me gjërat e reja…Në se do të mund të mësoje diçka të re, cilën do të zgjidhje ?

E.H:Më pëlqejnë gjërat e reja. Guxoj deri diku edhe të provoj. Mbas bicikletës, makinës, mbase të ngas motorrin, por jo anijen…..

F.N:Ndër të tjera libri është një tru që flet , një mik që pret, një shpirt  që fal, një zemër që qan. Çfarë lidhje ke me librat dhe cili është vendi qe ka zënë në jetën tënde.

E.H:Libri ka qenë dhe mbetet miku im më i mirë. Më ka shoqëruar në ditë të mira e jo të mira. Për fatin tim të mirë ose të keq, kam lexuar më shumë libra profesionalë, por nuk humbas asnjë minutë kohë të lirë për të lexuar letërsi artistike. Ajo më qetëson, më zbut, më sjell në vete.

F.N:Mund të gjykojmë një njeri nga mënyra se si trajton kafshët ? Cilët është lidhja që ke me kafshët ?

E.H:Natyrisht që mund të gjykohet. Raporti me kafshët është shumë domethënës për natyrën njerëzore. Unë vetë jam shumë e kujdesshme me kafshët. Por nuk kam arritur deri tek bashkëjetesa me to.

F.N:Po raporti që ke  me trupin tënd…Cila është pjesa e trupit  të pëlqen më shumë dhe pse ?

E.H:Mmmm, më ka pëlqyer gjithmonë trupi im. Jam ndjerë mirë me të pavarësisht se pak e shkurtër, pak e shëndoshë, pak… por kam qenë gjithnjë e kënaqur me veten. Pjesa që më pëlqen më shumë: koka. Prej saj buron gjithë sjellja, reagimi, komunikimi im.

F.N:Bota është një libër, dhe ata që nuk udhëtojnë lexojnë vetëm një faqe. Cili është raporti që keni me udhëtimin ?

E.H:Udhëtimet janë oksigjeni im. Ato më japin jetë. Pa udhëtime unë jam askushi. Një udhëtim në muaj, është domosdoshmëri për mua. Kur nuk mundem larg, edhe një udhëtim diku afër, më mjafton.

F.N:Në cilin vend të botës  do të pëlqente të jetoje ?

E.H:Do të dëshiroja të udhëtoja në cdo cep të botës, por do të desha të jetoja vetëm në Shqipëri. Ka qenë zgjedhja ime edhe kur bashkëmoshatarët e mi dhe jo vetëm rendën të largoheshin nga ky vend. Natyrisht Shqipëria është më e varfër pa ata, por unë nuk do ta bëja dot. E kam provuar, por nuk i kam rezistuar dot mallit.

F.N:Liria … cila është përballja juaj me të,  si ka qënë raporti me lirinë në jetë, sa e leni luftuar dhe sa e keni dashur?

E.H:Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë e vlerësoj dhe dëshiroj atë. I jam gëzuar gjithmonë mundësisë për të qenë e lirë. Kam luftuar për këtë. Them se në pjesën më të mirë të jetës kam qenë njeri i lirë dhe në raporte të mira me lirinë. Nuk kam abuzuar me të, nuk e kam luftuar, por e kam gëzuar.

F.N:Cili është ndryshimi që ka mes bashkëshortes dhe të dashurës ? Mendon se ekziston dashuria e përjetshme ?  Si mund të shpëtohet dashuria?

E.H:Bashkëshorit/bashkëshortja është jë nga të dashurat/të dashurit. Për mendimin tim që të kesh dikë bashkëshort/bashkëshorte duhet ta duash. Por që ta duash, nuk do të thotë që patjetër ta bësh bashkëshort/bashkëshorte. Unë besoj në dashurinë e përjetshme. Dashuria mund të ruhet dhe shpëtohet duke u kujdesur për ditë për të. Ajo nuk vetë ekziston. Duhet të kujdesemi për të si për një fëmijë, një lule apo dicka të cmuar.

F.N:Cfarë është vlerësimi shoqëror  dhe familjar për ty ?  Deri kur do të vazhdojë të ketë vlerë?

E.H:Njeriu merr vlerë në raportet mes shoqërisë dhe njërëzve të tij të afërt. Vlerësimi që merr prejt tyre është karburanti ynë. Pa këtë vlerësim ne do të ishim pa drejtim, pa orientim në jetën tonë. Përsa kohë ne jetojmë në shoqëri, të rrethuar nga miq e të afërm, për aq kohë vlerësimi i tyre do të jetë i rëndësishëm për ne.

F.N:Kur një person hedh argument kundër ideve të tua , preferon të mbetesh i heshtur duke ditur se ke të drejtë, apo mendon së është më mirë të tregosh të “vërtetën ”?

E.H:Në fakt, jeta më ka mësuar shumë për një rrethanë të tillë. Por edhe profesioni më ka ndihmuar. Kur kuptoj qe njeriu që kam përballë nuk e njeh debatin, diskutimin, tërhiqem në pozicionin tim pa u lodhur pa fund të argumentoj.

F.N: Thuhet që asgjë nuk është perfekte … Çdo ndodhte sikur të ishte ?

E.H:Do ishim të rrethuar nga monotonia. Ne na mban gjallë, na motivon ideja për t’i bërë gjërat më të mira.

F.N:Në të mirë dhe në të keq, një mik i vërtetë , është gjëja më  e mirë në këtë botë, çfarë është një mik-mikëshë  për ju ?

E.H:Një thesar. Viti i fundit, vecanërisht, më ka stërprovuar, se asgjë nuk vlen më shumë se miqtë në këtë jetë. Unë ndjehem e pasur dhe me fat sepse kam shumë miq e mikesha.

F.N:Cila ka qenë detyra më e mërzitshme që të ka takuar të bësh ?

E.H:Detyra administrative.

F.N:Një punë juaj më e fundit , cilat qenë arritjet më të rëndësishme ?

E.H:I jam gëzuar mësimdhënies, studimeve, botimeve por në mënyrë të vecantë të qënit pjesë e rrjeteve rajonale dhe botërore të fushës sime të studimeve.

F.N:Çfarë projektesh apo ide kanë lindur nga ty dhe sa janë realizuar falë teje?

E.H: Kam luftuar dhe vazhdoj të jem këmbëngukëse në sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në këtë vend. I kam dhënë jetë shumë nismave në dokumente politike, ligjore dhe shërbime direkte.

F.N:Tranzicioni shqiptar është përballje e vlerave të shoqërisë shqiptare apo e politikës së prodhuar nga qeveritë e saj ?

E.H:Tranzicioni është një proces shumë kompleks që i përfshin të tëra, edhe vlerat e shoqërisë, edhe ato të politikës së prodhura nga klasa politike e këtij vendi.

F.N:Jeta jote përballë politikës… cili është vlerësimi yt për politikën shqiptare ?

E.H:Ka qenë ëndërr e imja të kontribuoja për një politikë më të mirë në shërbim të qytetarëve. Por politika shqiptare nuk është për idealistët. Fatkeqësisht politika shqiptare ka provuar që të jetë vendi perfekt për njerëzit e vesit.

F.N:Çfarë është Shqipëria për ty ?

E.H:Vendi ku më ka rënë koka….

Vendi i të parëve dhe shpresoj edhe i pasardhësve të mi…

F.N:Sa është përputhur profesioni  që ke  imagjinuar në fëmijëri me profesionin qe ke sot ?

E.H:Në mënyrë përfekte. E kam ëndërruar gjithnjë veten që kur isha fëmi si mjeke, mësuese, drejtuese. E kam realizuar plotësisht ëndërrën time.

F.N;Sa  e lumtur je sot  dhe  si e përjeton profesionin tënd?

E.H:Shumë e lumtur. Sikur Zoti të më jepte shëndet, do të vazhdoja ta gëzoja profesionin tim si deri më sot.

F.N:Do të preferoje  të udhëtoje në të shkuarën apo në të ardhmen e vendit ku jeton?

E.H:Jo. Më mjafton e tashmja.

F.N:Për ty çfarë do të thotë një jetë perfekte ?

E.H:Jeta perfekte për mua është jeta që me jep motiv për të vazhduar e për të jetuar cdo ditë me pasion, energji dhe dashuri.

F.N:Sa  e vërtetë,  ke qenë në këtë intervistë ?

E.h: Edlira dhe vetëm Edlira