Nga Max Boot “The Washington Post”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Sulmet me dronë të forcave ukranase ndaj Moskës, dikur të pamendueshme, janë bërë tani diçka e zakonshme. Rajoni i kryeqytetit rus ka qenë në shënjestër për 6 ditë rresht kohët e fundit.
Edhe pse dronët nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha, ato detyruan ndërprerjen e fluturimeve në aeroporte, dhe kanë ndihmuar në zhvendosjen e luftës në shtëpinë e agresorit.
Po këtë muaj, dronë ukrainas dyshohet se shkatërruan një avion bombardues rus në një bazë ajrore në jug të Shën Petersburgut, si dhe goditën një stacion hekurudhor në rajonin e Kurskut në Rusinë Perëndimore. Dhe kundërpërgjigja e Kremlinit dukej se ishte e kufizuar vetëm tek shprehja e zemërimit ndaj këtyre sulmeve.
Tani është e vështirë të mbahet mend, por është fakt se në fillim të këtij konflikti, Perëndimi – dhe sidomos Shtëpia e Bardhë – ishin shumë të shqetësuar se sulmet brenda Rusisë do të tejkalonin një “vijë të kuqe”, e cila do ta nxiste presidentin rus Vladimir Putin të përshkallëzonte konfliktin në mënyrë dramatike, duke marrë ndoshta në konsideratë edhe përdorimin e armëve bërthamore.
Por përvoja e muajve të fundit sugjeron se me gjithë gjuhë e tij agresive në publik, Putin është mjaftueshëm racional sa të mos e përshkallëzojë më tej një luftë të kufizuar, të cilën ai tashmë po e humb, në një luftë më të gjerë me NATO-n, që nuk mundet ta fitojë.
E megjithatë, presidenti amerikan Joe Biden duket më i shqetësuar se kurrë se mos provokon Putinin. Përndryshe, si mund të shpjegohet ngurrimi i administratës së tij për mos t’i dhënë Ukrainës avionët luftarakë F-16, dështimi për t’i dërguar ATACMS (Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë) me rreze të gjatë, apo për të sfiduar bllokadën ruse në Detin e Zi? Në të treja rastet, administrata Biden po përpiqet që të veprojë në mënyrë të sigurt, por ajo në fakt po e zvarrit konfliktin dhe po i zbeh shanset e Kievit për sukses, edhe pse zyrtarët amerikanë po i fajësojnë ukrainasit për mungesën e përparimit të shpejtë në terren gjatë kundërsulmit të ri që kanë nisur në fillim të qeshorit.
Në lidhje me avionët F-16, lajmet u dukën në fillim të mira. Danimarka, Holanda dhe Norvegjia u zotuan kohët e fundit, që me lejen e SHBA-së do t’i dhurojnë Ukrainës më shumë se 70 avionë luftarakë. Por më pas u raportua se trajnimi i pilotëve ukrainas do të zgjasë aq shumë, saqë F-16-ët e parë ukrainas nuk do të jenë gati për të fluturuar deri në verën e vitit të ardhshëm.
Pra avionë të tillë nuk do të jenë në dispozicion edhe shumë kohë pasi të ketë mbaruar kundërofensiva aktuale, dhe mund tç mos jenë në sasi të mjaftueshme edhe për sezonin e luftimeve vitin e ardhshëm. Dhe kjo është qesharake, duke pasur parasysh faktin se pilotët ukrainas mund të trajnohen për drejtimin e avionë F-16 në vetëm 4 muaj.
Në fakt, trajnimi duhet të kishte nisur që vitin e kaluar. Por edhe tani, administrata Biden i ka mundësitë ta përshpetojë procesin, duke marrë në SHBA më shumë pilotë ukrainas, ku Forcat Ajrore të SHBA-së trajnojnë çdo vit rreth 400 pilotë për drejtimin e avionëve F-16. Nga ana tjetër, Pentagoni, që zotëron burime shumë më të mëdha se holandezët apo danezët, mund të përshpejtojë sigurimin e avionëve dhe sistemeve të mirëmbajtjes së tyre. Për Putinin nuk do të ketë ndonjë ndryshim nëse F-16-të e Ukrainës vijnë nga Danimarka apo Shtetet e Bashkuara.
Por në vend se të bëjnë gjithçka që kanë mundësi për t’i ofruar F-16 sa më shpejt të jetë e mundur, zyrtarët amerikanë po e shpërfillin rëndësinë që ka kjo çështje, duke u thënë gazetarëve se ajo nuk do të jetë një “armë magjike”, për shkak të mbrojtjes së dendur ajrore të Rusisë.
Sigurisht, asnjë armë e caktuar nuk do ta fitojë luftën e vetme. Por gjenerali i Forcave Ajrore në pension, Philip M. Breedlove – ish-komandant i forcave të SHBA-së dhe NATO-s në Evropë dhe një pilot veteran i F-16 me afro 3000 orë fluturim – më tha se ky lloj avioni është shumë më i avancuar se avionët luftëtarakë që zotëron atualisht Ukraina, të prodhuara dikur nga sovjetikët.
Për këtë arsye, dërgimi i tyre do të rriste ndjeshëm aftësitë sulmuese të Ukrainës. “F-16 nuk duhet të fluturojë mbi territorin rus për të rrëzuar dronët dhe helikopterët rusë. Nuk ka nevojë të shkosh deri atje për të vrarë. Këtë gjë mund ta bësh nga distanca”- thotë ai.
Sipas gjeneralit të njohur, duke përdorur avionët F-16 në lidhje me sisteme të tjera (të tilla si Sistemi i Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri së Lartë, HIMARS), ukrainasit mund ta degradojnë gradualisht mbrojtjen ajrore ruse duke i dhënë F-16 më shumë hapësirë manovrimi.
Kjo do të ndihmojë shumë jo vetëm për të mbrojtur hapësirën ajrore të Ukrainës, por edhe për të mbështetur forcat tokësore të Ukrainës. Dhe në fakt, inteligjenca ushtarake ukrainase pretendoi javën e kaluar se kishte shkatërruar një sistem rus të mbrojtjes ajrore S-400 në Krime.
Breedlove më tha se më urgjente se dërgimi i avionëve F-16, është dërgimi në Ukrainë i sistemit ATACMS. Raketat e saj mund të lëshohen nga të njëjtët lëshues si sistemi HIMARS që tashmë zotërohet nga ukrainasit.
“Do të duhet më pak se një ditë që ato të përfshihen në forcën e tyre luftarake. Ky lloj municioni siguron goditje me rreze të gjatë dhe shumë të saktë me një ngarkesë eksplozive të madhe. Ai do të vendoste nën shenjestër të gjithë gadishullin e Krimesë, dhe nëse përdoret si duhet, do ta vinte të gjithë Krimenë në zjarr, çka do ta bënte atë të paarritshme për forcat ushtarake ruse”- nënvizon gjenerali në pension.
E megjithatë, administrata Biden ende nuk ka vendosur që t’i dërgojë Ukrainës ATACMS, nga frika se mos provokohet Putin, dhe duke pretenduar se ka shumë pak nga kjo lloj arme në arsenalin e SHBA-së. Në fakt, ushtria amerikane ka deri në 3.000 ATACMS. Ndaj dërgimi i disa qindrave prej tyre në Ukrainë nuk do ta dobësojë mbrojtjen e SHBA-së.
“Kjo është një idiotësi. Nëse nuk kemi mjaftueshëm njësi nga ky sistem, atëherë pse nuk e kemi rritur prodhimin? Unë mendoj se është më shumë mungesë e vullnetit politik, dhe jo mungesës së ATACMS”- shkroi në Twitter gjeneral-lejtanti në pension Ben Hodges, një ish-komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë.
Një mungesë e ngjashme e vullnetit politik, është e dukshme edhe tek mos-gatishmëria e administratës Biden për të sfiduar më fort bllokadën ruse të bregut të Detit të Zi, pas përfundimit të një marrëveshje për eksportin e grurit muajin e kaluar. Që nga ajo kohë, Rusia ka shënjestruar vazhdimisht depozitat e grurit të Ukrainës.
Putin dëshiron ta gjunjëzojë Ukrainën, dhe nuk i intereson se kështu shkakton uri tek miliona njerëz në mbarë botën që kanë nevojë për grurë ukrainas që të mbijetojnë. E megjithatë, administrata Biden nuk po bën mjaftueshëm për të kundërshtuar lojën e dënueshme të Putinit.
Admirali në pension James Stavridis, një tjetër ish-komandant i forcave të SHBA-së dhe NATO-s në Evropë, më tha javën e kaluar: “Jemi duke parë një precedent të rrezikshëm me mos-kundërshtimin më agresiv të kontrollit detar de facto të Rusisë mbi një pjesë të madhe të ujërave ndërkombëtare në Detin e Zi”.
Ai thotë se anijet e NATO-s duhet të fillojnë të shoqërojnë anijet tregtare që transportojnë ushqime dhe karburant, të mbajnë avionë luftarakë në patrullim të vazhdueshëm mbi Detin e Zi, dhe t’i ofrojnë Ukrainës raketa kundër anijeve dhe dronëve për të mbajtur larg flotën ruse.
Mjerisht, deri tani nuk ka asnjë shenjë se administrata e Biden po shqyrton seriozisht ndonjë nga këto opsione. Alternativa e saj e preferuar është rritja e eksporteve të drithërave përmes lumit Danub, edhe pse Ukraina do ta ketë të vështirë të përballojë vëllimin e produkteve ushqimore që dërgon zakonisht përmes porteve të Detit të Zi.
Administrata Biden meriton të lëvdohet për dhënien e më shumë se 43 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Ukrainën. Së fundmi, administrata ra dakord të dërgojë municione thërrmuese që janë shumë të nevojshme në front. Por ajo vazhdon të zvarrisë ofrimin e ndihmës tjetër kritike për të cilën Ukraina ka nevojë dëshpërimisht, në një kohë kur kundërofensiva e saj nuk po përparon aq shpejt sa pritej.
Breedlove është i drejtpërdrejtë kur shpjegon pse sipas tij administrata nuk është më agresive: “Administrata jonë nuk dëshiron ta shohë Ukrainën të ketë një sukses të madh, sepse jemi të frikësuar dhe nuk duam që Putin ta zgjerojë luftën”.
Frika e Biden, dikur e kuptueshme, duket sot e tepruar. Sulmet me dron ukrainas brenda Rusisë duhet të zbutin frikën e ekzagjeruar nga pasojat e kalimit të “vijave të kuqe” të supozuara të Putinit. Ofrimi i më shumë ndihme për Ukrainën, nuk do të rrisë ndjeshëm rrezikun e një lufte më të gjerë, por mund të shkurtojë kohëzgjatjen e konfliktit ekzistues. /albeu.com