Ukraina bën gati tanket, raketat dhe avionët për një kundërsulm të ri, Putin është me shpatulla pas muri

Nga  Paolo Brera “La Repubblica

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kiev- Në tryezën e gjatë në zyrën e sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Oleksiy Danilov, një nga njerëzit më të afërt me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, dhe që përveç luftës merret me çështje si marrëdhëniet me oligarkët dhe lufta kundër korrupsionit, ndodhet edhe një tabelë e madhe shahu.

Lëvizja e parë është e gabuar: ushtari i ka lëvizur në e 5. “A dini të luani Danilov?”- e ngacmoj në fillim të një interviste të gjatë, e para për median italiane që nga fillimi i pushtimit – lëviz i bardhi dhe më pas është kundërsulmi. “Kam luajtur që në moshën 4-vjeçare: Nëse sulmon i ziu, përgjigjet ai duke buzëqeshur, do të thotë se bota dhe të gjitha rregullat e saj kanë ndryshuar. Dhe ne nuk e lejojmë veten që të habitemi.”

Keni humbur shumë ushtarë. Rusia mund të rekrutojë ushtarë të rinj për vite me radhë. Ndaj në fund rrezikoni të humbisni apo jo?

Lufta nuk do të zgjasë 5 apo 10 vite. Sot bota është e shpejtë. Në vitin 2024 do të ketë zgjedhje në shumë vende, dhe fushatat elektorale do të nisin që në verën e këtij viti. Në mënyrë indirekte do të ndikojë edhe lufta jonë.

Dua të shoh me sytë e mi kush do të thotë se e mbështet Putinin, në SHBA, Britaninë e Madhe apo në vende të tjera. Pastaj në këtë luftë ndikojnë shumë elementë të tjerë, dhe ka lidhje gjithçka që ndodh në botë. Aktualisht Putini ndodhet me shpatulla pas muri.

Duke sulmuar Ukrainën?

Jo vetëm. Që nga viti 2003 ai ka ëndërruar të rindërtojë perandorinë ruse, dhe tani po vuajmë pasojat e çmendurisë së tij. Rusia është një vend shumë i madh, dhe Putin kishte shumë punë për ndërtimin e shtetit të tij. Por në vend se të menaxhonte këtë territor të stërmadh zgjodhi të sulmonte vende të tjera. Rusët i kanë ende shtëpitë me banjot në rrugë, e megjithatë merren me ne.

Sa ukrainas kanë vdekur dhe sa janë plagosur deri tani?

Këto të dhëna janë sekret. Faza më e vështirë ishte pranvera e vitit të kaluar, tani humbjet janë reduktuar shumë.

Por ju e keni pranuar se situata në Bakhmut është “shumë e vështirë…” 

Kjo është e vështirë, por për çdo ukrainas të vrarë ka 7 rusë të vdekur. Koeficienti është 7:1, por atyre nuk u intereson, i dërgojnë në sulm si mish për top, njëri pas tjetrit.

Edhe humbjet tuaja janë gjithashtu të mëdha, dhe rekrutimi është shumë i diskutueshëm për ukrainasit. Jo të gjithë janë gati të rrëmbejnë armët…

Rusia ka zhvilluar një fushatë të madhe informative për të përhapur lajme të rreme në lidhje me mobilizimin tonë. Ata duan që ta përshkruajnë si të tmerrshme situatën tonë.

Dhe në të janë përfshirë një numër të madh gazetarësh të mediave perëndimore. Ata kanë bashkëpunëtorë që shkruajnë në vendet evropiane. Si për shembull në Spanjë.

Ne i njohim mirë që të gjithë, e dimë se çfarë bëjnë, dhe ata janë bashkëpunëtorët të FSB-së, shërbimit sekret rus. Mobilizimi ka filluar që nga shkurti i vitit 2022 dhe po vazhdon sipas planit. Pranë nesh ka një qendër rekrutimi dhe çdo mëngjes ka burra në radhë.

Po vullnetarët?

Çdo njeri që ka dëshirë të luftojë duhet të klasifikohet, dhe t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor. Ne duhet ta dimë se tek kush mund të mbështetemi.

Por kjo nuk do të thotë se ai duhet të shkojë në front. Djali im i vogël u detyrua të paraqitej më 3 mars dhe po kryen tashmë detyrat e tij në ushtri. Disa miqve të tij u kanë thënë: tani për tani nuk kemi nevojë, por do t’iu njoftojmë në një moment të dytë.

Situata në Bakhmut dhe Vuhledar është shumë e vështirë për ukrainasit. Do të tërhiqeni?

Betejat atje janë shumë të ndërlikuara dhe të vështira. Rusëve u pëlqen ta lidhin gjithçka me një datë të jashtëzakonshme. Ditëlindja e Putinit, 7 tetor; 22 dhjetori, që ishte 100-vjetori i themelimit të BRSS; pastaj Viti i Ri. Tani është 24 shkurt.

Më thatë se prisni që ofensiva e re ruse të nisë më 24 shkurt të këtij vit. A keni sinjale nga shërbimet sekrete?

Sigurisht që po, dhe ato janë të dukshme. Por ne jemi të përgatitur.

Ku mendoni se do të nisë sulmi i ri? Sërish në Kiev?

Rusët mund ta vendosin këtë në minutën e fundit dhe ne duhet të jemi gati për çdo skenar. Disa lëvizje të këtyre ditëve mund të jenë pista të rreme, dhe ne e dimë mirë këtë.

Ose për shembull në Zaporizhzhya?

Ndoshta, por edhe nga Bjellorusia. Jam i sigurt se vendimi përfundimtar do të merret në momentin e fundit. Ndaj jemi të gatshëm për çdo skenar, e dimë që po përpiqen të na mashtrojnë

Rusët kanë aneksuar 4 rajone të Ukrainës pa i kontrolluar plotësisht. A është çlirimi i tyre objektivi juaj kryesor?

Jo, ata nuk e njohin gjeografinë, përndryshe do të duhej të kthenin Ishujt Kuril dhe Sakhalin, rajonin e Kaliningradit dhe shumë zona të tjera që nuk kanë të bëjnë fare me Rusinë.

Por aneksimi është një fakt…

Ata janë të çmendur. Unë jam i sigurt se Putin ka 10 vite i sëmurë. Ai ka probleme mendore, jeton në botën e tij dhe nuk e kupton se çfarë po ndodh përreth.

Pse ju dhe Zelensky keni deklaruar se nuk e dini nëse ai është ende gjallë?

Sepse nuk ka një Putin të vetëm. Kjo është e sigurt. Nuk është një tezë konspiracioni, është realiteti. Ju mund të krahasoni vetë imazhet e tij publike. Vëzhgoni me kujdes mënyrën e ecjes, frikën e afrimit edhe me bashkëpunëtorët e ngushtë dhe më pas turmat e mëdha të nesërmen… Këto janë truke tipike të KGB-së.

A do të shërbejnë tanket perëndimore që do të dërgohen së shpejti për të frenuar ofensivën ruse apo për kundërsulm?

Ato do përdoren për t’i dëbuar rusët nga territori ynë. Përfshirë Krimenë. /albeu.com

ukraina tanket raketat

ukraina tanket raketat

ukraina tanket raketat


Shtuar 3.02.2023 09:46